Jasharaj: Më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë

29 korrik 2022 | 11:33

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë  në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre.

Ndërsa drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë bërë me dije se më 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës, ka  thënë se Projektligji për pagat është në fazën finale.

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, ka thënë kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për “Radio Kosovën”.

Edhe kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, nuk ka përjashtuar grevat.

“Ligji i Pagave është shumë i rëndësishëm për të gjithë të punësuarit në vend. Ne dje e kemi mbajtur takimin e radhës me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe jemi duke e pritur reagimin e kësaj anëtarësie e i cili reagim nuk është i mirë. Në se shpejti do të dalim me qëndrimet tona për  hapat e ardhshëm sindikalë”,  ka thënë Hykolli.

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për “Radio Kosovën”, ka bërë me dije se Projektligji për pagat është në fazën përmbyllëse nga ana e ekzekutivit.

“Prioritizimi i qëllimit tonë që të kemi një projektligj të mirë para se të kemi një projektligj të shpejtë, ka bërë që shqyrtimi i tij të bëhet në mënyrë më të kujdesshme. Megjithatë, projektligji gjendet në fazën përmbyllëse nga ana e ekzekutivit, për të ndjekur pastaj rrjedhën e rregullt të konsultimeve publike, miratimit në qeveri dhe procedimit në Kuvend”, ka thënë Kryeziu.

Për shkak të mos miratimit të Ligjit për pagat deri më tani, partitë opozitare në vazhdimësi kanë kritikuar qeverinë.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se do të thërrasin interpelancë për shkak të vonesës për miratimin e Projektligjit për pagat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci,…