Jasharaj: Nagavci s’ka gatishmëri të na takojë, nuk i ka ikur inati nga greva e vitit të kaluar
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk kanë kurrfarë komunikimi me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ai ka thënë se Nagavci nuk është konsultuar me ShBAShK-un as për çështjen e librave.
Jasharaj në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se Nagavci është duke mbajtur inati për grevën e SBAShK-ut të cilën e kishte mbajtur vitin e kaluar.
“Jo, nuk është konsultuar. Nuk ka pasur gatishmëri të takohet me ne tani e sa muaj, duke e prishur kështu traditën e mirë të takimeve, jo vetëm me SBAShK-un, por edhe me të tjerët, për të debatuar sinqerisht për të gjitha çështjet në arsim e për t’u marrë vesh për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit. Pse është kjo situatë, fajtori i vetëm është zonja Nagavci, së cilës, si duket, nuk po i ikën inati i krijuar që nga greva e vitit të kaluar”.
“Në mungesë të takimeve, angazhimet dhe kërkesat e anëtarësisë do t’i adresojmë përmes shkresave. Po përmes shkresave do ta informojmë për çështjet e ngritura nga anëtarësia jonë. Për të njoftuar opinionin për angazhimet tona e vërejtjet ndaj MAShTI-t dhe vendimeve të caktuara të njëanshme, i kemi bërë publike përmes medieve dhe ne do t’i vazhdojmë angazhimet në shërbim të anëtarësisë sonë, të cilën e falënderoj për unitetin dhe për ruajtjen e besimit të ndërsjellë që e kemi krijuar ne stafi udhëheqës me anëtarësinë në rrugëtimin tonë tani e sa vite”, ka thënë Jasharaj.