
Jasharaj paralajmëron grevë nga 20 prilli: Fajtori i vetëm është Kurti
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura te Kosovës (BSPK) ka kërkuar rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale.
Në protestën para objektit të qeverisë, protestuesit kanë paralajmëruar ekzekutivin për masa më radikale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se prej datës 20 prill do të jenë në grevë nëse kërkesat e tyre hasin në veshë të shurdhër.
“Këta punëtorë të arsimit, nga 20 prilli do t’i shohësh në grevë dhe populli lë ta dijë se fajtori i vetëm është kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Në të ardhmen do të jemi këtu, sepse është sheshi ynë, në të ardhmen do të jemi në shkolla, por do të jemi në grevë”, është shprehur Jasharaj.
Ndërkaq kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se janë lodhur duke pritur zbatimin e këtyre ligjeve. “Pritëm dhe mund të presim për të mirën e Kosovës sonë, por nuk mund të durojmë shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social dhe mosrespektimin e profesionalizmit tonë. Çmimet kanë kapur majat, e pagat rrinë aty ku ishin, dhe kjo vetëm për punëtorët, sepse të tjerët nuk e kanë keq. Falë djersës së punëtorëve jetojnë si në përralla, por së shpejti do të përrallosen. Për këtë besoj dhe shpresoj fort”, ka deklaruar Hykolli para protestuesve.