Jasharaj: Qeveria Kurti ia ka mbyllur dyert sindikatave – tentuan t’i shuajnë ato, por s’ia dolën
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij ia ka mbyllur dyert sindikatave dhe se ka tentuar t’i shuajë ato.
Jasharaj në një letër ka falënderuar Avokatin e Popullit, i cili i ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e sindikatave.
“Ju përfaqësoni një institucion shumë të respektuar e që gëzon besimin e qytetarëve dhe nga ana tjetër Kurti dhe qeveria e tij ia kanë mbyllur dyert dhe i ikin takimeve me sindikatat, të cilat edhe u munduan t’i shuajnë, por nuk ia dolën. I nderuar Avokat i Popullit të gjitha ankesat dhe shqetësimet që i thamë janë të anëtarësisë dhe ato janë shumë dhe sa vijnë e shtohen duke mos pasur zgjidhje të duhura për to nga ana e qeverisë. Edhe më keq se kjo, duke vazhduar luftën kundër sindikatave e duke bllokuar dialogun dhe punën edhe të Këshillit Ekonomik Social, qeveria po vendos kokë me vete duke punuar ligje të gabuara e duke bërë ndryshime e plotësime të ligjeve në dëm të punëtorëve në të gjitha sektorët dhe ndaj të pensionuarve. Me këto veprime, qeveria po vazhdon ta lëndojë demokracinë”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka falënderuar Avokatin e Popullit që po tenton të organizojë një takim në mes të përfaqësuesve të sindikatave dhe atyre të qeverisë.
“Të lumtë për këtë ide, por kam frikën se nuk do ta realizosh dot, sepse ne do të vijmë prapë të ju, por ministrat e Qeverisë Kurti nuk besoj se do të jenë aty e në atë takim që planifikoni ta organizoni”, ka thënë Jasharaj.