Jasharaj: Qeveria Kurti ka bërë çmos që t’i shuajë sindikatat
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, në emisionin “Fol me Arin” në “Klan Kosova” ka thënë se qeveria Kurti ka qasje armiqësore ndaj sindikatave.
Ai në veçanti ka përmendur ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagaci, të cilën e ka akuzuar se është munduar që t’i shuajë këto sindikata.
“Duke i shlyer nga anëtarësia nga regjistrat anëtarësinë tonë dhe duke na obliguar për diçka që nuk ka ndodhur në shtetet demokratike të Evropës që rishtazi të deklarohemi në ‘E-Kosova’. Ata kanë shpresuar që mësimdhënësit do të hezitojnë, punëtorët e arsimit do të hezitojnë dhe nuk do të regjistrohen, dhe në këtë mënyrë ata do ta shpallnin të shuar një sindikatë, por ndodhi e kundërta”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka bërë me dije se më 4 dhjetor, SBAShK-u do të ndërmerr veprimin e parë sindikal duke protestuar.
Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se në këtë protestë pritet të marrin pjesë deri në 2 mijë persona.