Jasharaj sfidon Kurtin: Tha se shkon ku e thërrasin, eja javën e ardhshme në SBAShK, çaj e kafe kemi edhe ne
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë ftesë publike kryeministrit, Albin Kurti, që të shkojë në zyrat e kësaj sindikate për t’i takuar, pasi Kurti të mërkurën ka deklaruar se “shkon ku e thërrasin”.
Jasharaj në një letër dërguar mediave, ka bërë ftesë ndaj Kurtit për takim me të.
Ai ka thënë se “kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e ,inistrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBAShK.”
Reagimi i plotë i Jasharajt:
Tha se shkon ku e thërrasin, kryeministër eja javën e ardhshme në SBAShK
E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda Kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin.
Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së , Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik. Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së dhe ne shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë, por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne.
Tani kur e mësova këtë dëshirë të kryeministrit dhe qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBAShK.