Jasharaj: Shkumësit e shpuzës i ka kaluar koha, mësimdhënësve duhet t’iu rriten pagat

24 mars 2025 | 14:13

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë që pret formimin e qeverisë së re në mënyrë që të ulen e të dialogojnë sa iu përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.

“Pa u krijuar institucionet që kanë dalë nga vota e 9 shkurtit ne s’kemi se as me këtë të komunikojmë. Plani ynë është që të presim në mënyrë që institucionet t’i kuptojnë hallet tona. Dëshira jonë është që përmes dialogut të plotësohen kërkesat e punëtorëve të arsimit. Me formimin e qeverisë së re shpresojë e urojë që t’ia vënë më shumë veshin sektorit të arsimit sepse mund të shtohen zërat dhe mund të ketë veprime sindikale”.

“Shkumësit e shpuzës i ka kaluar koha, andaj tash është mundësia që edhe mësimdhënësve t’iu krijohen mundësitë që të jenë më të motivuar. Institucionet tona t’i shikojnë shtetet përreth dhe në këtë pikë atyre t’iu bëhen kontratat. Të kemi ngritje dukshëm të pagave të vlerës së koeficientit e jo herë 50 në këtë muaj e 50 në tjetrin. Mësimdhënësit duhet të kenë paga më të mira për tu motivuar” ka thënë Jasharaj në një bisedë për “IndeksOnline”.

I pari i SBAShK-ut ka thënë se me qeverinë Kurti nuk është se kanë kaluar periudhë të mirë, përkundrazi siç thotë ai e shohin si një përvojë të vështirë andaj uron që qeveria e ardhshme të ketë qasje më ndryshe dhe modeste.

“Neve na mbetet të shohim se kush do ta formojë qeverinë, ngase kërkesat janë legjitime dhe modeste. Të kemi një marrëveshje për të gjithë, kolektive për secilin sektor. Në shkollat tona dukshëm ka mungesë të kushteve dhe në këtë drejtim duhet të punohet”, ka vlerësuar Jasharaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e…