Jasharaj: S’ka grevë, viti i ri shkollor nis më 3 shtator
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka bërë me dije se viti i ri shkollor do të nisë më 3 shtator dhe nuk do të ketë greva.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e këtij viti shkollor.
“Po, ky vit shkollor do të nisë më 3 shtator, pra nuk do të nis me greva. Nuk kemi shkuar që në fillim me greva ngaqë duam të shohim se sa e si janë sistemuar kolegët tanë, pra duhet të shohim se si qëndron puna me kolegët tanë sa iu takon normave dhe se a ka probleme me normat dhe me plotësimin e tyre”, ka deklaruar Jasharaj.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se në vazhdim të vitit shkollor sistemi arsimor mund të përballet me greva nëse institucionet shtetërore nuk i përfillin kërkesat e SBAShK-ut për njohjen e stazhit për vitet ’90-ta dhe për nivelizimin e pagave.
Sipas Jasharajt, punëtorët e arsimit nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa një vend meritor në Ligjin për pagat si dhe miratimin e Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta që mundëson një pension të merituar e që është pak më i lartë se pensionet aktuale të punës dhe disa përfitime të tjera të mundshme.
Pavarësisht prej gjendjes në vendin tonë, ai ka thënë se kërkesat e SBAShK-ut janë reale. Sipas tij, miratimi i Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta është borxh moral për njerëzit që punuan në atë periudhë me plot sakrifica për ta mbajtur gjallë arsimin shqip.
Jasharaj ka theksuar se SBAShK-u, përveç kërkesës për krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënësit, është duke u angazhuar në vazhdimësi edhe për ngritjen e cilësisë në arsim.
“Epoka e re”: Z. Jasharaj, a janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës?
Jasharaj: Lidhur me përgatitjet e duhura për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor raportet i kanë drejtoritë arsimore (DKA-të) që i kanë marrë nga drejtoritë e shkollave të komunave të tyre. Por, nga bisedat e para që kemi pasur me kryetarët e kuvendeve të sindikatave komunale të arsimit fillor e të mesëm nëpër komunat e Kosovës mund të them se në përgjithësi janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Epoka e re”: Pra, nuk do të ketë grevë dhe më 3 shtator do të fillojë viti i ri shkollor?
Jasharaj: Po, ky vit shkollor do të nisë më 3 shtator, pra nuk do të nisë me greva. Nuk kemi shkuar që në fillim me greva ngaqë duam të shohim sesa e si janë sistemuar kolegët tanë, pra duhet të shohim se si qëndron puna me kolegët tanë sa iu takon normave dhe se a ka probleme me normat dhe me plotësimin e tyre. Po ashtu, nuk duam ta nisim vitin shkollor me greva sepse do të na kritikonin disa se po bëjmë greva për ta vazhduar pushimin. Aq më shumë nga kjo nuk duam t’ua mohojmë gëzimin nxënësve, të cilët të gëzuar presin fillimin e vitit të ri shkollor për t’u takuar me shokë e shoqe dhe me mësuesit e mësimdhënësit e tyre pas pushimit veror. Mirëpo kjo nuk do të thotë se në vazhdim të vitit shkollor do të jetë çdo gjë e qetë, por mund të ketë edhe greva.
“Epoka e re”: Ju më herët keni paralajmëruar se do të ketë grevë në rast se nuk realizohen kërkesat e punonjësve të arsimit. Pse hoqët dorë nga greva?
Jasharaj: Jo, nuk kemi hequr dorë nga greva. Ne kemi paralajmëruar se sistemi arsimor do të përballet me greva nëse institucionet e shtetit nuk i përfillin kërkesat tona. Janë dy çështje kyçe që mund ta çojnë sistemin arsimor, edhe arsimin parauniversitar, edhe universitetet në greva. E para është Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta. Ky projektligj u votua nga Qeveria Haradinaj dhe u votua edhe nga shumica e deputetëve shqiptarë në leximin e parë. Pas kësaj Komisioni Parlamentar për Arsim hapi debat publik për të ashtu siç e kërkojnë procedurat. Ne në SBAShK mendojmë se ky debat është stërzgjatur, por na mbetet të besojmë se pas kthimit të deputetëve nga pushimet, Komisioni Parlamentar për Arsim në kohën më të shkurtër të mundshme do ta dërgojë për miratim në leximin e dytë projektligjin bashkë me rekomandimet eventuale. Këtë besojmë do ta bëjnë jo për shkak të presioneve tona me greva, por në shenjë respekti për punëtorët e arsimit të viteve të ’90-ta dhe sakrificës së tyre për mbrojtjen e arsimit shqip nga furtunat e pushtuesit. Dhe çështja e dytë që mund ta dërgojë arsimin e Kosovës në grevë është nëse ministri Jagxhillar dhe institucionet nuk përfillin kundërshtimet e argumentuara të SBAShK-ut lidhur me Ligjin e pagave. Ne jemi takuar me ministrin Bytyqi dhe kemi kërkuar edhe angazhimin e tij në mënyrë që punëtorët e arsimit të Kosovës të kenë vend meritor në Ligjin për pagat. Versioni fillestar i Ministrisë së Administratës Publike (MAP) që drejton ministri Jagxhillar ka qenë degradues për punëtorët në arsim sepse i ka radhitur tepër poshtë në tabelën e gradimeve duke i krahasuar me profesionet për të cilat kërkohet vetëm arsimimi i mesëm. Ne kemi dhënë propozimet tona të argumentuara dhe nuk kërkojmë as më shumë e as më pak se të tjerët, por të jemi të radhitur njëjtë si të punësuarit në sektor të tjerë, bazuar në ngritjen akademike dhe në përgjegjësinë në punë. Të gjitha këto argumente ia kemi afruar ministrit Jaxhillar e, po ashtu, edhe koordinatorit nacional për reforma shtetërore Besnik Tahiri.
“Epoka e re”: Keni marrë garanci prej Qeverisë se do të realizohet kërkesa juaj për pranim të stazhit për vitet ’90-ta dhe për nivelizimin e pagave?
Jasharaj: Qeveria Haradinaj e ka vënë në rend dite Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta dhe e ka votuar duke mundësuar kështu që ai të shkojë në Parlament. Duhet sqaruar se vitet e ’90-ta janë të pranuara si vite kontributdhënëse për ata që punuan në arsim në këto vite dhe u numërohen dhe u ndihmojnë për të arritur kushtin që e ka caktuar Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili kërkon që për ta gëzuar pensionin e plotë, personi duhet t’i ketë së paku 15 vjet përvojë të punës kontributdhënëse. Ligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta të punëtorëve të arsimit të atyre viteve do t’u mundësojë që të gëzojnë një pension të merituar e që është pak më i lartë se pensionet aktuale të punës dhe disa përfitime të tjera të mundshme.
“Epoka e re”: Nuk konsideroni se janë të larta kërkesat e SBAShK-ut duke pasur parasysh gjendjen në vendin tonë?
Jasharaj: Jo. Kërkesat e SBAShK-ut janë reale sepse në Ligjin për pagat nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak sesa të punësuarit në sektorët e tjerë që kanë ngritje të njëjtë akademike me ne. Pra, po kërkojmë vend të merituar në këtë ligj dhe asgjë tjetër. Kurse sa i takon Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ’90-ta, e ka thënë edhe kryeministri, por edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, se është borxh moral për njerëzit që punuan me plot sakrifica në vitet e ’90-ta duke mbajtur gjallë arsimin shqip dhe shpresat për lirinë e shtetit tonë.
“Epoka e re”: Z. Jasharaj, SBAShK-u në vazhdimësi kërkon kushte më të mira për mësimdhënës si dhe rritje të pagave, por nuk ka rritje të cilësisë në arsim. A do ta ktheni vëmendjen te kjo çështje tash e tutje?
Jasharaj: Ne jemi sindikatë dhe si kudo në botë, edhe te ne sindikata në radhë të parë dhe me statutin e saj e ka angazhimin për realizimin e kërkesave të anëtarësisë. Por, SBAShK-u që nga themelimi angazhimet i ka zhvilluar në dy fronte, pra në realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë dhe në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim. Ne kemi bërë veprime konkrete për këtë duke zhvilluar takime me mësimdhënës në çdo komunë e duke bashkëbiseduar për nevojën e angazhimeve të vazhdueshme për arsim edhe më të mirë. Kemi organizuar edhe konferenca me GIZ-in me tema kyçe pikërisht për angazhimet për ngritjen e cilësisë, por vazhdimisht edhe kemi kërkuar që shteti të investojë më shumë në arsim me qëllim që të përmirësohen kushtet e punës dhe të furnizohen shkollat me mjete të duhura të punës sepse ende në shumë shkolla të Kosovës mjete të vetme të punës janë shkumësi, shpuza dhe dërrasa e zezë, shumica e të cilave janë shumë të vjetra dhe është vështirë edhe të shkruhet në to. Në shërbim të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë kemi kërkuar që edhe trajnimet mos të jenë sa për t’u mbajtur, por të jenë në shërbim të ngritjes së vazhdueshme profesionale të mësimdhënësve. Kemi kërkuar, po ashtu, të krijohen kushte ligjore për pensionimin e punëtorëve arsimorë me sëmundje të rënda të cilëve do t’u jepeshin pensione të dinjitetshme dhe në vend të tyre do të angazhoheshin kuadro të reja që, fatmirësisht, në Kosovë ka të tillë.
Shqipe HETEMI