Jasharaj takohet me Nagavcin, SBAShK-u: Takimi përfundoi pa rezultat, ministrja nuk ishte e gatshme të bisedojë për kërkesat tona
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka njoftuar se të martën kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zv/ministrin Taulant Kelmendi.
“Pas konferencës me mediet që ka mbajtur sot SBAShK-u, ministrja Nagavci bashkë me zv.ministrin Taulant Kelmendi janë takuar në MAShTI me kryetarin Rrahman Jasharaj, nënkryetaren Vjollca Shala, sekretarin e përgjithshëm Ymer Ymeri dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri.”
Sipas SBAShK-ut takimi ka qenë i shkurtër dhe ka përfunduar pa asnjë rezultat pasi “ministrja Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedojë konkretisht për kërkesat legjitime të anëtarësisë që SBAShK-u i ka bërë publike tani e sa kohë”.
SBAShK-u nesër (e mërkurë) do të mbajë protestë.
“SBAShK-u shpreh keqardhje për këtë qëndrim të ministres Nagavci dhe prandaj nesër do të mbahet protesta e 4 paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale. SBAShK-u uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dy palët”, ka njoftuar SBAShK-u.