Jasharaj tregon numrin e mësimdhënësve që morën pushim pa pagesë e shkuan drejt Evropës
Dikur profesioni më i lakmuar në Kosovë- ai i mësimdhënësit, sot po braktiset.
Më shumë se 300 mësimdhënës kanë marrë pushim pa pagesë për një vjet, duke ia mësyrë Evropës.
Kryetari i SBAHK-ut, Rrahman Jasharaj po vlerëson se ky numër është më shumë se 300.
“Po t’iu them të vërtetën ne alarmin e parë që ka lëvizja të mësimdhënësve e kemi marrë nga mediat dhe pastaj ne kemi komunikuar me kryetarët që i kemi nëpër komuna. Ata na kanë dhënë shifra që nuk janë zyrtare ngase nga kolegët tanë është një trend për të marrë pushim 1 vit pa pagesë por kemi dyshime dhe frikën se një pjesë e tyre këtë kërkesë e bëjnë për të shkuar jashtë dhe nëse atje mund të stabilizohen ata nuk do të kthehen. Shifrat tona që nuk janë zyrtare, fillimisht flitej për 300 mësues por kjo shifër do të ketë shënuar rritje. T’iu them të vërtetën në sektorin e arsimit është një disponim fatkeqësisht për të lëshuar vendet e punës për të shkuar jashtë”, thotë ai.
Jasharaj tregon arsyet e largimit të mësimdhënësve nga puna.
“Nga bashkëbisedimet me kolegët tanë kemi arritur në përfundim se njëri nga shkaqet e largimeve është presioni i vazhdueshëm dhe lëndimi i figurës së mësuesit që bëhet vazhdimisht. Një arsye tjetër që është e natyrshme është edhe Ligji i Pagave dhe koeficienti ngase mësimdhënësit kishin bërë ‘goxha një luftë’ edhe në kohën e Haradinajt dhe në kohën e Kurtit që të kenë një pozitë sa më të mire tek Ligji i Pagave mirëpo një pjesë e madhe e tyre u dëshpëruan me këtë ligj që e votoi parlamenti ngase kanë pritur shumë më tepër. Me pagat që I kanë ata shumë vështirë po përballen me kërkesat e jetës ngase në një anë çmimet vazhdimisht shënojnë ngritje ndërsa pagat nëse e marrim dhjetorin e vitit të kaluar me këtë vit ku jemi zoti Hekuran Murati e mbajti atë inatin dhe fjalën tha 6 muaj përpara se do të bëjmë një lëvizje nga 105 në 110, e bëri këtë 110 pra krijoi një ngritje 28 euro që ishte ironike”, thekson kreu i SBASHK-ut.
Ai shton se mësimdhënësit kanë pritur kushte më të mira nga kjo qeveri.
“Mësimdhënësit e Kosovës kanë pritur mbase që qeveria duke i parë pakënaqësitë dhe rritjen e çmimeve do të bëjë një lëvizje goxha më të madhe. Ne kishim kërkuar publikisht por edhe përmes shkresave dërguar zonjës Nagavci por edhe kryeministrit që kjo lëvizje të jetë së paku nga 105 në 130. Në takimet kur ne i vizitojmë komunat jo pak kolegë na thonë se e kanë idenë që ta lëshojnë sektorin e arsimit ngase ky sektor është I goditur dhe figura e mësuesit është lënduar. Ligji i Pagave nuk solli atë që pritej, ngritja e pagës u bë në mënyrë ironike dhe kushtet e punës në shkollat tona janë tmerrësisht jo të mira dhe pastaj kur dalin rezultatet e testit PISA edhe qeveria edhe opinioni ka prirje të bëhet me gisht tek mësuesi. Situatën në arsimin parauniversitar nuk e kemi hiq të mire, kemi tendenca për largim të punëtorë vetë arsimit dhe mbase qeveria dhe zonja Nagavci thonë ‘hajt le të shkojnë se numri i nxënësve ka rënë dukshëm dhe na mbeten mjaft mësues’. Kjo nuk është e vërtetë, ne nuk kemi mësimdhënës tepër në arsim dhe zonja Ngavci duhet ta ngrit zërin në qeveri”, vlerëson Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut, që tash e sa vjet është në ‘luftë’ të ashpër me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, e ka paralajmëruar ekzekutivin.
Ai ka theksuar se është rritur presioni nga anëtarësia që po kërkojnë veprime tjera për realizimin e të drejtave të tyre.
“Kam tentuar të bisedoj me Ministren Nagavci për këto problematika por qeveria Kurti në tërësi kanë një qasje tepër të gabuar ndaj Sindikatave. Që nga greva e shtatorit të vitit 2022 ne nuk kemi pasur asnjë takim pune me zonjën Nagavci të cilës I kemi dërguar shumë letra dhe të cilës edhe sot do t’ia dërgojmë një letër ngase po krijohen telashe dhe këto telashe ne nuk po mundemi t’i adresojmë përveç siç i adresuam me 1 maj në një protestë me numër të kufizuar. Por presionet nga anëtarësia po shtohen dhe ata po kërkojnë edhe veprime të tjera. Kurti edhe Nagavci le ta dinë se cilado që është kërkesa e shumicës së anëtarësisë unë do të jem në ballë të asaj kërkese por do të angazhohem maksimalisht që këtë vit shkollor mos ta dëmtojmë sepse është dëmtuar mjaft me atë lojën me tekstet shkollore që na mori shtatorin por gati edhe tetorin”, deklaron Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/