Jasharaj: Viti shkollor do të fillojë me vështirësi për shkak të MAShTI-t dhe Nagavcit

28 gusht 2023 | 11:33

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj është shprehur i lumtur që viti shkollor do të fillojë pa greva.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe ministrja Arbërie Nagavci do ta kishte gëzuar më shumë greva.

Ai ka thënë se ky vit shkollor do të fillojë me vështirësi, të cilat i ka krijuar MAShTI me eksperimentin e gabuar për tekste shkollore.

“Ndjehemi të lumtur që ky vit shkollor po fillon pa greva e veprime sindikale. Kjo duhej ta gëzonte qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i kishte gëzuar greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për t’u heshtur lëshimet e mungesën e përgatitjeve që MAShTI është dashur t’i bënte. Ky vit shkollor do të fillojë i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoi MAShTI, me eksperimentin e gabuar për tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj, duke e kritikuar ashpër ministren Nagavci.

“Paraqitja e parë e zonjës Nagavci ishte e papranueshme kur ajo tha se do të keni tekste falas e do t’i keni në komuna e shkolla për nxënësit 1-5, por nxënësit 6-9, mësimdhënësit e tyre duhet të gjinden me tekstet e vjetra shkollore. Kemi reaguar sepse vet jemi punëtorë  të arsimit, kemi përvojë dhe e kemi të qartë se tekstet që janë përdorur vitin e kaluar, janë përdorë nga nxënësit të cilët edhe pa dashje i kanë dëmtuar, nënvizuar, ndonjë fletë e kanë dëmtuar, kurse fletoret e punës ata ia kanë plotësuar herë mirë e herë më gabime dhe unë konsiderojë se ato fletore pune nuk do të jenë të përdorshme këtë vit”, ka thënë ai.

Më tutje, Jasharaj ka ritheksuar se ky vit nuk do të fillojë si duhet, sepse nxënësit sipas tij nuk do të jenë të pajisur me mjete shkolle, e kjo sipas tij me fajin e MAShTI-t.

“Zonja Nagavci na doli herën e fundit me një lajm që i ka stresuar edhe prindërit, por edhe neve si mësimdhënës. Pasi ajo thotë se gjoja për ta mbrojtur buxhetin, gjoja se shtëpitë botuese tinëz paska ngritur çmime, ajo sjellë vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari, që një pjesë e qyteteve nuk ka fare dhe prindërit të vrapojnë në ‘e-Kosova’, të aplikojnë, të presin rimbursime dhe në këtë situatë ne si punëtorë të arsimit me vite, jemi të sigurt se viti shkollor nuk do të fillojë si duhet, ngase do të kalojnë ditë e nxënësit nuk do të jenë të pajisur me mjete shkollore e me tekste, jo me fajin e tyre, por me fajin e MAShTI-t”, ka thënë Jasharaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taekwondisti, Jon Gashi, zuri vendin e 5-të në Kampionatin Evropian…