JASHARAJT E PREKAZIT KRENARIA E KOMBIT
Sa më shumë po kalon koha, aq më madhështore dhe e lavdishme po bëhet lufta dhe rënia titanike e familjes Jashari nga Prekazi i Ulët i Drenicës së Kuqe!
Vetëflijime të këtilla sublime, për historinë e popullit tonë janë shumë të rralla!
Kjo që bëri familja Jashari me koshiencë të plotë, pamëdyshje se do të shënohet me shkronja të arta në historinë e lavdishme të popullit shqiptar, dhe do të ketë vend nderi në panteonin e kombit!
Një gatishmëri e këtillë për të tejkaluar të gjitha zhvillimet e ngjarjeve dhe të bëmave më të mëdha historike të së kaluarës sonë, e aq më shumë në truallin e Kosovës, janë dëshmitë më të gjalla, se Kosova Pavarësinë e plotë që e aspiron për gati një shekull që kur u nda padrejtësisht nga trungu amë, e meriton plotësisht dhe patjetër do ta shijojë!
Çdo pëllëmbë e Shqipërisë sonë, është ngjarje dhe histori që djeg e përvlon, krenari e mburrje kombëtare, por Drenica e Kuqe, e në veçanti Prekazi me Jasharajt në ballë, janë e do të jenë gjerdanë të artë që do të shndrisin si nur në gjoksin e Atdheut tonë të dashur e të shtrenjtë!
Janë të rralla rastet në historinë e popullit tonë, kur armiqtë pas betejave të rrepta që kanë zhvilluar e masakrave që kanë bërë, të mos jenë tërhequr me ditë e netë të tëra nga vendi i krimit!
Arena ku luftuan si luaj dhe ranë heorikisht në fushë të nderit në Tiranën e Kuqe të Vojo Kushit, Xhoxhi Martini dhe Sadik Stavilecit, me ditë të tëra është mbajtur e rrethuar!
I njëjti rast por akoma me sublim e më madhështor, u përsërit në Prekaz të Drenicës se Kuqe, nga pjesetarët e familjes Jashari!
Truallin dhe shtëpitë e familjes Jashari të bombarduar tmerrësisht, policia dhe ushtria serbe po i mban nën survejancë të plotë e të hekurt!
Por kot e kanë armiqtë dhe tradhtarët!
Edhe nazifashistët kështu vepruan, por me turp e humbje të mëdha u larguan nga Shqipëria!
Kështu do të jetë patjetër edhe me shovinistët serb, sepse edhe këta janë pushtues e okupator, ndërsa ne gjithashtu luftojmë për liri e pavarësi!
Eh, lum populli shqiptar që ka pasur fatin të ketë në radhët e tij familje si ajo e Jasharajve të Prekazit të lavdishëm, që historikisht ishte dhe do të jetë gurrë e pashterrshme e trimave!
Sakrifica supreme e familjes Jashari me burrat e saj Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, janë dhe duhet të jenë, këmbanat përfundimtare të bashkimit e unitetit të domosdoshëm popullor, përballë armiqëve serb dhe tradhtarëve, por edhe sinjal për UÇK-në, që luftën e filluar ta intensifikojnë dhe përhapin si në gjerësi e thellësi, në çdo skaj të Atdheut!
Flamuri i luftës për liri që e mbante fort dora e çeliktë e të madhit Adem Jashari, duhet dhe do të valojë e të ngritet lartë e më lartë në qiellin e lirë të Atdheut!
Mesazhi i rënies heroike të Jasharajve të Prekazit të Drenicës se Kuqe, thërret e gjëmon: për Atdheun, lirinë dhe pavarësinë e tij, duhet të japim gjithçka që na kërkohet, sepse vetëm kështu do të dalim njëherë e përgjithmonë nga zgjedha serbe!
Ilir Hasani,
Cernicë, Maj 1998!
P.S: ky shkrim i shkruar dhe i firmosur me njërin prej pseudonimeve të mia, ishte botuar në Organin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, në gazetën “Zeri i Kosovës”, që botohej në Zvicër!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 14 Maj 2024!