Jashari e Latifi pjesë e konferencës për efiçiencën e energjisë
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe ai i Rahovecit, Smjal Latifi, ka marrë pjesë të mërkurën në konferencën e parë të kryetarëve të komunave të Kosovës, rreth mbështetjes së Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit të ri për efiçiencën e energjisë dhe krijimin e fondit për efiçiencë të energjisë në Kosovë.
Ngjarja kryesore e konferencës ka qenë inaugurimi i Kartës së Energjisë të kryetarëve të Komunave të Kosovës si një deklaratë e angazhimit për të përmirësuar nivelin e komforit në të gjitha ndërtesat komunale, duke zbatuar projekte të efiçiencës së energjisë dhe të energjisë së ripërtërishme dhe për të zvogëluar ndotjen e mjedisit në komuna, si dhe për të kursyer shpenzimet për energji.
Me nënshkrimin e “Kartës së Energjisë”, kryetarët e komunave të Kosovës do të hapin rrugën për pranimin e komunave individuale në Konventën e kryetarëve të komunave të BE-së, gjë që hap mundësi për financim për përmirësimin e infrastrukturës komunale të energjisë.
Gjatë mbajtës së kësaj konference kryetari Latifi ka nënshkruar dokumentin: “Karta e Energjisë e Komunave të Kosovës”, me ç’rast ka pohuar se Kosova po hyn në një fazë të re të aplikimit më të suksesshëm të zbatimit të planeve dhe masave për efiçiencë të energjisë.