Jashari: E mposhtim Prishtinën dhe e ndjekim titullin

27 prill 2018 | 17:02

Mbrojtësi Dardan Jashari ka thënë për “Epokën e re” se Llapi nuk ka hequr ende dorë nga titulli i kampionit.

Skuadra e Llapit ka mbetur 12 pikë larg skuadrës lidere në Vala Superligën e Kosovës në futboll, Dritës. Megjithatë, Dardan Jashari ka thënë të hënën për “Epokën e re” se skuadra nga Besiana ende nuk ka hequr dorë nga titulli i kampionit. “Do të luftojmë derisa të na lejojë matematika. Nuk do të dorëzohemi deri në fund të kampionatit sepse jemi një skuadër serioze dhe nuk dorëzohemi lehtë”, ka thënë Dardan Jashari, i cili është një nga lojtarët më të dalluar në skuadrën e Llapit.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina arriti të shpallet kampione vjeshtore, por në sezonin pranveror nuk ishte e njëjta çka bëri që të mbetet edhe një hap pas në garën për titull. Lidhur me këtë fenomen, Jashari ka shtuar se kjo u ndodh edhe skuadrave të mëdha evropiane. “Kjo që i ndodhi Llapit në këtë edicion u ndodh edhe skuadrave të mëdha evropiane. Ne tash e kemi kaluar krizën dhe në ndeshjet e radhës synojmë ta marrim maksimumin e pikëve”, ka deklaruar ai.

Skuadra e Llapit, pas humbjes në fundjavën e kaluar nga Drita në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Besianë (1-3), të dielën e zhvillon ndeshjen e radhës ndaj skuadrës së Prishtinës. Futbollisti Dardan Jashari paralajmëron se në këtë ndeshje skuadra e Llapit do të luajë për fitore. “Për ndeshjen ndaj Prishtinës nuk jemi të kompletuar, por kemi synime të mëdha. Përballë e kemi një skuadër të fortë që ka futbollistë cilësorë, por ne si në çdo ndeshje hyjmë për fitore”, ka përfunduar Jashari.

Skuadra e Llapit aktualisht renditet në pozitën e tretë me 45 pikë të grumbulluara, ku nga 28 ndeshje të zhvilluara, regjistroi 13 fitore, 6 barazime dhe 9 humbje.

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë pas shumë vitesh, 3 nga katër…