
Jashari ftohet nga Kosova për ndeshjen me Spanjën
Futbollisti i skuadrës së Dritës së Gjilanit, Muharrem Jashari është ftuar nga Përfaqësuesja A për ndeshjen ndaj Spanjës, e cila zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Duke pasur parasysh se Lirim Kastrati dhe Besar Halimi nuk do të kenë të drejtë paraqitjeje në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Spanjës për shkak të pezullimit me kartonë, përzgjedhësi i Përfaqësues, Bernard Challandes ka vendosur që për këtë ndeshje ta ketë në grumbullim mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Dardanët”, sot, do të kenë vetëm rigjenerim në hotel, pasi lojtarët që nuk u aktivizuan në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Greqisë dhe ata që hyrën si zëvendësueses kanë bërë stërvitje mbrëmë pas ndeshjes.
/Epoka e re/