Jashari: Interpretimi që do ta jap Kushtetuesja për dekretin e presidentit, i rëndësisë së veçantë
Përmes vendosjes së masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pezulluar dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, përmes të cilit kishte nominuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
Në Kushtetuese lidhur me rastin, përveç partive politike e deputetëve, komente ka dorëzuar edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Jashari në komentin që ka dorëzuar, ka vlerësuar se interpretimi që do të japë Kushtetuesja lidhur me rastin K0 72/120 është i një rëndësie të veçantë për rendin kushtetues në vend dhe ka sugjeruar Gjykatën Kushtetuese që të marrë parasysh frymën Kushtetuese e cila është shfaqur përgjatë punëve përgatitore (travaux preparatories) të Komisionit Kushtetues që ka hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Teksti i Kushtetutës që nga miratimi i saj ka një kuptim objektivisht të identifikueshëm dhe nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës. Kushtetuta, duhet të shihet në qëllimin autentik të Komisionit për Hartimin e Kushtetutës për te përcaktuar se cila është fryma kushtetuese që ky komision e ka pasqyruar në tekstin e saj. Kërkesa K0 72/120 është ekskluzivisht e koncentruar në dispozita kushtetuese, për analizimin dhe interpretimin e të cilave Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar, sipas saktësimeve që i përmban Kapitulli VIII i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”
“Duke e konsideruar të rëndësisë së veçantë për rendin kushtetues në vend interpretimin që Gjykata Kushtetuese do ta jap lidhur me ketë rast, Avokati i Popullit thekson vlerën qe ka autenticiteti i frymës që përcjell Kushtetuta e vendit, i shfaqur nëpërmjet punëve përgatitore [travaux preparatoires] të Komisionit Kushtetues i cili ka punuar në hartimin e saj”, është thënë në komentin që ka dorëzuar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Ai ka thënë se dokumentacioni i punëve përgatitore të hartimit të Kushtetutës gjenden në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
“Në ketë drejtim, Avokati i Popullit dëshiron të rikujtojë se dosjet e punëve përgatitore të hartimit te Kushtetutës ndodhen ne Agjencinë Shtetërore te Arkivave te Kosovës”, është thënë në komentin e Jasharit, i cili i është dorëzuar Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 kur kishte shqyrtuar kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për rastin K0 103/14 kishte kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që t’i dërgoheshin (travaux preparatoires), meqë kishte konstatuar se dispozitat kushtetuese lidhur me Nenin 84.14 dhe Nenin 95 janë të paqarta. Megjithatë sekretari i Kuvendit më 20 qershor të vitit 2014 në përgjigjen dërguar Kushtetueses kishte thënë se nuk i kanë dosjet e punëve përgatitore apo (travaux preparatories)
Kushtetuesja edhe në vitin 2011 kur kishte shqyrtuar rastin KO 98/11 kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i dërgoheshin dosjet e punëve përgatitore të Komisionit që kishte hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por as atëherë s’kishte marrë kurrfarë përgjigje.