Jashari: Kur e kujtojmë themelimin e ushtrisë nuk duhet ta harrojmë kontributin e UÇK-së
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se dy vjet më parë është përmbyllur suksesshëm procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.
Jashari ka thënë se kur e kujtojmë themelimin e ushtrisë nuk duhet ta harrojmë kontributin e UÇK-së, raporton “Epoka e re”.
“Andaj, kur e shënojmë këtë ditë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë kontributin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantit Legjendar Adem Jashari, dëshmorëve dhe martirëve, që falë gjakut dhe kontributit të tyre ne e festojmë këtë ditë të veçantë për Kosovën dhe ushtrinë e saj”, ka shkruar Jashari në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Jasharit:
Urime 2 vjetori i themelimit të Ushtrisë së Kosovës!
Sot dy vite më parë ishte një ditë e veçantë dhe mbyllje e suksesshme e një procesi të gjatë për Kosovën dhe të ardhmen e Ushtrisë së Kosovës.
Sot, shënojmë dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë e cila për çdo ditë po shënon suksese drejtë anëtarësimit në NATO.
Rruga drejtë 14 dhjetorit filloi shumë herët, ishte e gjatë, e mundimshme me shumë sakrifica.
Andaj, kur e shënojmë këtë ditë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë kontributin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantit Legjendar Adem Jashari, dëshmorëve dhe martirëve, që falë gjakut dhe kontributit të tyre ne e festojmë këtë ditë të veçantë për Kosovën dhe ushtrinë e saj.
Po ashtu një falënderim për ShBA-të dhe shtetet mike të Kosovës, të cilat ndihmuan shtetin tonë në konsolidimin e Ushtrisë sonë.
Urime!