Jashari: Kurti duhet të hetohet se për kë punon
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka komentuar deklarimet e kryeministrit Kurti, i cili Oliver Ivanoviqin të martën e quajti njeri që ka punuar për interesat e komunitetit të tij dhe porositi që të ruhej kujtimi për të.
Jashari këtë deklarim e ka quajtur pafytyrësi, pasi sipas tij, Kurti në këtë formë e ka shpallur hero politikanin serb.
“Kjo është pafytyrësia e radhës e kryeministrit Albin Kurti. Në vend se të kërkojë në përputhje me Kushtetutën, në vend se të kërkojë te instancat ndërkombëtare gjithë ato që ka bërë Serbia, ky kryeministër mendoj se e ka gabim dhe është një qeveri e mjerë përderisa vjen deri në këtë nivel që një kriminel të luftës në njëfarë forme ta shpallë hero”, ka thënë Jashari në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Ai ka pyetur se si do të ndjehen veten pas këtyre deklarimeve anëtarët e Vetëvendosjes që kanë marrë pjesë në luftë.
“Unë do t’i pyesja të gjithë ata që qëndrojnë në politikën e ditës, të gjithë ata që qëndrojnë në institucione në përgjithësi dhe ata që qëndrojnë afër kësaj qeverie, më vjen keq që ka shumë persona në këtë qeveri ka shumë njerëz që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke qenë pjesë e rëndësishme e luftës së lavdishme të UÇK-së, si do ta ndjenin veten në këtë moment ata”, ka shtuar Jashari.
Në fund ai ka bërë thirrje që të hetohet kryeministri pas këtyre deklaratave.
“Mendoj që edhe këto institucione, edhe shoqëria civile duhet të reagojnë por mbi të gjitha institucionet e vendit duhet ta hetojnë këtë kryeministër. Mendoj se kjo Qeveri do të duhej të deklarohej se për kë punon dhe mendoj se ajo nuk do të duhej të nxirrte këso deklarata në këtë kohë e në këtë moment dhe mjerisht të shkel mbi gjakun e dëshmorëve, t’i lëndojë gjymtyrët e invalidëve dhe krejt veprimtarinë që e kanë bo”, ka vazhduar Jashari.
“Veprimtaria e mëhershme e tij [Oliver Ivanoviqit] e ka dëshmuar që ka qenë një kriminel që ka punuar për të larguar, dëbuar, vrarë dhe shfarosur shqiptarët”, përfundoi Jashari.