Jashari: Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush

06 maj 2024 | 14:26

Në 27-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, në Pejë është mbajtur një akademi përkujtimore.

Me këtë rast, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush.

“Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush. Se liria nuk falet por ajo fitohet me sakrficë e mbi të gjitha fitohet me luftë. E këtë luftë e bëri Luani, familja Haradinaj,  duke e bërë të lavdishme UÇK-në. Çdo ditë duhet të kemi njerëz që janë të vendosur në diplomaci që për çdo ditë për çdo çast ta keni në mendje dhe shpirt luftën e lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjet e pa rreshtuara të popullit për liri. Sot po vazhdon kjo padrejtësi, kur kihet parasysh që sot bashkëluftëtarët e lënë padrejtësisht mbahen në Hage”, ka thënë ai.

Ndërsa në emër të presidentes Vjosa Osmani, të pranishmëve me një fjalë rasti nga Zyra e Presidentes u është drejtuar këshilltari ushtarak, Sefer Isufi, i cili ka thënë se flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës.

“Flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës e cila çdo ditë po zhvillohet dhe forcohet si një shtet dinjitoz me identitetin dhe historinë e dritshme që bëri gjeneral Luan Haradinaj dhe mijëra heronjë, dëshmorë e martirë të rënë”, ka thënë Isufi.

Kurse në emër të familjes Haradinaj fjalën e ka marrë Luani i ri, i cili mes tjerash ka thënë se Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi.

“Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi. Sakrifica e tyre është motiv jetësor për ne dhe brezat e rinjë dhe me besnikëri do ta ndjekim rrugën e tyre”, ka thënë Luan Haradinaj. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Mirlind Daku do të ftohet nga Sylvinho për Kampionatin…