Jashari për arrestimet e Speciales: Spektakël i shëmtuar
Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt, ka thënë se arrestimet e të premtes në Prishtinë ishin një “spektakël” i shëmtuar.
Ai e ka konsideruar një pikëpyetje të madhe se pse po ndodh e gjithë kjo, derisa ka shtuar se ky është një plan i përgatitur në teori dhe tani po vihet edhe në praktikë, duke vënë në dukje se Organizata e Veteranëve të UÇK-së është keqpërdorur.
Në fjalën e tij nipi i ish-komandantit legjendar Adem Jasharit, ka thënë se këto janë lojëra të ndyta nga njerëz të vendit në bashkëpunim me vendet e tjera.
“Për mua më lehtë do të ishte të ndodhte ai ‘spektakël’ ndoshta edhe në Presidencë, edhe në Kryeministri, edhe në Parlament të Kosovës sesa në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Jashari, duke shtuar se me arrestimin e Gucatit është cenuar direkt trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo falë së cilës sot Kosova gëzon lirinë.
Fajin për këtë planifikim Jashari ua lë liderëve politikë, që sipas tij kanë bashkëpunuar me vendet e tjera.
Ai ka treguar se për të mbrojtur veten e tyre politikanët po cenojnë veteranët.
“Kush i solli ato dosje tri herë radhazi? I solli një dorë e fortë, një dorë që ka pushtet, qoftë në Kosovë, qoftë jashtë Kosovës dhe asnjë njeri deri më sot nuk dëgjova që u arrestua nga Gjykata Speciale, qoftë në Hagë e kudo qoftë nga ajo zyrë, ku u vodhën ato dokumente, qofshin kofidenciale ose jo. Edhe vjen dhe arreston në mënyrë spektakolare pa pasur aspak nevojë të bësh diçka të tillë, njerëz që ti ja ke lënë ato dokumente te dera. E ti nuk e arreston asnjë njeri që ka qenë përgjegjës t’i ruajë ato dokumente”, është shprehur Jashari në një intervistë për “Euronews Albania”.
Së fundmi ai bëri edhe thirrje për unitet mes shqiptarëve, duke theksuar se përçarja nuk mund të na çojë gjëkundi tjetër veçse në humnerë.