Jashari: Po e kthejmë besimin e qytetarëve në Skenderaj
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se është duke qeverisur në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se është duke u punuar maksimalisht për ta kthyer besimin e qytetarëve në Komunën e Skenderajt. “Është herët të flitet për këtë, por po punojmë pastër dhe me transparencë, po japim llogari para qytetarit për çdo vendim dhe kjo më bën të ndihem mirë. Kemi filluar mirë, po zbatohen ligjet, po bëhen veprime ligjore dhe punë të mëdha, por gjithmonë ka vend për më shumë punë. Unë nuk kënaqem derisa t’i realizojmë projektet që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Skenderajt tonë. Qeverisja lokale është sfidë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, por sigurt po ecim drejt kthimit të besimit të qytetarëve në institucionin e tyre në Komunën e Skenderajt”, është shprehur Jashari.
Ai ka bërë me dije se Komuna e Skenderajt ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe, sipas Jasharit, deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me ministri të ndryshme. “Komuna e Skenderajt ka bashkëpunim të mirë me nivelin qendror. Si kryetar kam raporte të shkëlqyera me kryeministrin Haradinaj, i cili është duke u munduar të na mbështesë brenda hapësirave që ka. Gjithashtu, raporte të mira kam me të gjitha institucionet e nivelit qendror”, ka theksuar ai.
Kryetari i Skenderajt ka folur edhe për gjendjen në të cilën ndodhet Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, duke thënë se kulla dhe shtëpitë po shkatërrohen në mungesë të menaxhimit të mirë nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
“Epoka e re”: Z. Jashari, të mërkurën jeni takuar me ministrin e Diasporës, z. Dardan Gashi, me të cilin jeni pajtuar që më 1 dhe 2 gusht manifestimi i Ditës së Diasporës të mbahet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Mund të na tregoni se cilat do të jenë aktivitetet që do të realizohen gjatë këtyre dy ditëve?
Jashari: Në takimin e së mërkurës me ministrin e Diasporës, Dardan Gashi, jemi pajtuar që kjo ngjarje të mbahet në Skenderaj, ku do të përfshihet diaspora gjithëshqiptare. Në këtë aktivitet jemi bashkë me ministrinë përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ministrinë përkatëse të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Parimisht u pajtuam të bëhet ky organizim me një këshill organizativ në mes të Komunës së Skenderajt dhe Ministrisë së Diasporës. Këshilli do ta fillojë punën në javën e ardhshme ku do ta finalizojë agjendën e ministrisë për shënimin e kësaj dite me aktivitetet e parapara nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në komunën tonë. Për shkak se kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz menaxhohet nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe janë bërë shumë investime, pas fjalimeve pjesa artistike do të zhvendoset në sheshin e qytetit në Skenderaj. Prandaj, për të gjitha detajet, për datat dhe aktivitetet do të njoftoheni me kohë pasi të jetë harmonizuar dhe finalizuar agjenda me aktivitetet e parapara për shënimin e ditëve të mërgatës.
“Epoka ere”: Kryetar, sa jeni i kënaqur me qeverisjen e deritanishme në Komunën e Skenderajt?
Jashari: Është herët të flitet për këtë, por po punojmë pastër dhe me transparencë, po japim llogari para qytetarit për çdo vendim dhe kjo më bën të ndihem mirë. Kemi filluar mirë, po zbatohen ligjet, po bëhen veprime ligjore dhe punë të mëdha, por gjithmonë ka vend për më shumë punë. Unë nuk kënaqem derisa t’i realizojmë projektet që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Skenderajt tonë. Qeverisja lokale është sfidë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, por sigurt po ecim drejt kthimit të besimit të qytetarëve në institucionin e tyre, në Komunën e Skenderajt.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se jeni kryetar i pavarur, sa po keni vështirësi ta realizoni programin qeverisës? Keni arritur t’i tejkaloni mospajtimet me PDK-në që keni pasur në fillim të mandatit tuaj gjatë punës së Kuvendit Komunal të Skenderajt?
Jashari: Unë si kryetar i pavarur prej që kam filluar qeverisjen së bashku me stafin jemi duke u angazhuar t’i realizojmë prioritetet tona dhe në këtë mënyrë të realizohet sa më mirë programi ynë qeverisës. Deri më tani punët kanë ecur mirë dhe jemi në drejtim të realizimit të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse gjë që ka qenë edhe zotimi ynë. Po ashtu, jemi duke bashkëpunuar në mënyrë të duhur me anëtarët e kuvendit komunal dhe unë të gjithë këta anëtarë i shoh të njëjtë, kam kontakte dhe partneritet me secilin prej tyre për të mirën e qytetarëve. Do të thotë, nuk më bëjnë përshtypje se nga cilat parti politike ata vijnë. Qëllimi im është që të sjellim gjëra të mira në kuvend, të cilat janë në interes të qytetarëve tanë dhe ato gjëra së bashku t’i shtyjmë para.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj periudhe sa keni arritur t’i realizoni kërkesat dhe pritjet e qytetarëve?
Jashari: Ne e dimë se kërkesat e qytetarëve janë relativisht të mëdha në krahasim me buxhetin që ka komuna, mirëpo ne jemi të përkushtuar që aty ku është më e nevojshme të fillohet së pari dhe kështu duke alokuar investimet sipas rëndësisë dhe kërkesave që janë në prioritet. Duke krijuar kështu një frymë ekuilibruese dhe duke i bindur qytetarët se investimet me të vërtetë janë duke ndodhur aty ku është më se e nevojshme, pastaj duke vazhduar tutje. Gjithashtu, po bëjmë të pamundurën t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që ta përmirësojmë jetën e tyre duke ofruar shërbime cilësore në të gjitha sferat e qeverisjes komunale.
“Epoka e re”: Cilat janë raportet në mes të Komunës së Skenderajt dhe Qeverisë në nivelin qendror? E keni mbështetjen e Qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj për realizimin e projekteve që janë në interes të Skenderajt?
Jashari: Komuna e Skenderajt ka bashkëpunim të mirë me nivelin qendror. Po ashtu, si kryetar kam raporte të shkëlqyera me kryeministrin Haradinaj, i cili është duke u munduar të na mbështesë brenda hapësirave që ka. Raporte të mira kam me të gjitha institucionet e nivelit qendror. Deri më tani kemi nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi për realizimin e projekteve në komunën tonë me ministritë përkatëse. Pra, kemi nënshkruar memorandum me Ministrinë e Ambientit, Infrastrukturës, Kulturës dhe jemi duke nënshkruar edhe me Ministrinë e Arsimit si dhe me ministritë e tjera.
“Epoka e re”: Tashmë është proceduar për Kuvend miratimi i një ligji të veçantë me të cilin do të trajtohet Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Prisni që Kuvendi sa më shpejt ta aprovojë këtë ligj në mënyrë që kompleksi të shpëtojë nga shembja?
Jashari: Kuvendi ka për detyrë nxjerrjen e ligjeve të mira dhe lehtësisht të zbatueshme. Edhe ligji i vjetër nuk e ka ndaluar trajtimin e kompleksit, restaurimin dhe konservimin e objekteve në kompleks. Kulla dhe shtëpitë po shkatërrohen sepse nuk është funksionalizuar me kapacitetet e nevojshme Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në mënyrë që ta menaxhojë kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz. Edhe kështu siç ka qenë kjo agjenci nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar në kuptimin funksional, nuk është menaxhuar si duhet. Ligji ka mangësi dhe institucionet përkatëse duhet të fokusohen sidomos tek elementet përmbajtjesore juridike që ato të jenë të saktësuara, të mos ketë shumëkuptimësi dhe të jetë lehtësisht i interpretueshëm, duke paraparë të gjitha rrethanat e nevojshme që e rregullojnë hapësirën brenda kompleksit dhe sjelljet e personave juridikë dhe fizikë brenda atyre hapësirave. Komisionet parlamentare dhe sponzoruesi i ligjit do të duhej t’i trajtonin të gjitha kërkesat e palëve të interesit në kompleks dhe nëse është e nevojshme, të dalë edhe në seancat e dëgjimit publik ku njerëzit e profileve të ndryshme do të kishin mundësi për t’i dhënë idetë dhe format e ndryshme organizative të cilat hartuesi do t’i harmonizonte dhe t’i saktësonte në aspektin juridik brenda dispozitave dhe neneve të këtij ligji.
Shqipe HETEMI