Jashari: Po largohem me kokën lartë nga Llapi
Mbrojtësi Dardan Jashari e ka zyrtarizuar largimin nga skuadra e Llapit.
Ai ka thënë se ishte krenari që ka qenë pjesë e kësaj skuadre për katër vjet e gjysme, kurse ndihet mirë se po largohet nga klubi më kokën lartë për faktin se gjithmonë ka dhënë maksimumin për fanellën e skuadrës nga Podujeva.
“Nga sot nuk jam pjesë e Llapit. Pas 4 vite e gjysmë pjesë e këtij klubi, sot edhe zyrtarisht po largohem për një rrugëtim të ri në karrierën time. Për gjatë këtyre 4 vite e gjysmë kaluam shumë momente të mira, gëzimi e hidhërimi, u shpallëm kampionë të Ligës së Parë, arritëm në finale të Kupës, ishim gjithnjë pretendent kryesor për titull, por sot është mbyllja e një kapitulli shumë të rëndësishëm në karrierën time. Falënderim i madh takon për ish-kryetarin e klubit, Nexhat Dumnica, kryesinë e vjetër dhe këtë aktuale, ish-trajnerin Tahir Batatina, të gjithë trajnerët që punuam së bashku, lojtarët, ekonomët. Falënderim i veçantë për qytetin e Podujevës dhe tifozerinë ‘Legjendat’ që për këto 4 vite e gjysmë më bënë të ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Jashari.
“Po largohem, por me shumë krenari sepse në asnjë ndeshje nuk e kam përmbyllur pa e dhënë maksimumin nga vetja ime gjithnjë duke mbajtur me dinjitet e krenari fanellën e klubit të Llapit”, ka deklaruar Jashari.
/Epoka e re/