Jashari: Skenderaj dhe Drenica ishin dhe mbetën çerdhe të lirisë
Komuna e Skenderajt ka shënuar të martën 20-vjetorin e çlirimit nga forcat serbe. Në kuadër të shumë aktiviteteve për nder të 18 qershorit është mbajtur edhe seancë solemne e Kuvendit Komunal të Skenderajt, e cila ka nisur me një minutë heshtje në nderim për të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se rruga drejtë lirisë ishte e vështirë.
Ai ka deklaruar se kontributi i dhënë jo vetëm nga familja Jashari por edhe nga të gjitha familjet tjera tregon se Drenica dhe Skenderaj janë çerdhe të lirisë.
Sipas tij, kryefjala e historisë tonë të lavdishme, e cila i vuri kurorë sakrificave shekullore, është Shaban, Adem e Hamëz Jashari e shumë burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më tutje, Jashari ka thënë se lirisë së Kosovës i kontribuuan edhe shumë shtete mike të Kosovës, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja. Jashari në këtë seancë solemne ka thënë se si kryetar i Skenderajt do të vazhdojë të zhvillojë jetën dhe mirëqenien e çdo qytetari të kësaj komune.
Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Skenderajt, Fatbardha Haliti, ka thënë se në qershorin e vitit 1999 bijtë e bijat e Kosovës kishin dalë rrugëve duke triumfuar për lirinë e fituar.
Ajo ka thënë se qershori do të kujtohet gjithmonë si muaji i lirisë, kurse marsi do kujtohet në histori si muaj i sakrificës.
Në këtë seancë solemne kanë marrë pjesë familjarë të dëshmorëve e ushtarë të KFOR-it.
Kryetari Jashari i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale, asamblistë e qytetarë gjatë ditës së martë kanë bërë homazhe tek shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari në qendër të qytetit, në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe te varrezat e dëshmorëve në Marinë.
/Epoka e re/