Jashari: Specialja të shfuqizohet

09 shkurt 2018 | 16:37

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, është shprehur i zhgënjyer me tërheqjen e liderëve shtetërorë nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se një gjë e tillë është jonjerëzore. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Jashari i ka bërë thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj ta procedojë për në Kuvend shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, pastaj kryeparlamentari Kadri Veseli ta shtyjë përpara këtë proces.

Ai ka pohuar se nëse Specialja rikthehet në Kuvend, deputetët do të votojnë për shfuqizimin e saj. Jashari ka thënë se liderët shtetërorë duhet ta mbrojnë interesin nacional duke i dhënë vendin meritor luftës së UÇK-së

“Epoka e re”: Z. Jashari, pavarësisht prej kërkesës së shoqatave të luftës, përkatësisht peticionit të mijëra qytetarëve dhe iniciativës së 40 deputetëve, nuk ndodhi miratimi i Ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Si e komentoni tërheqjen e liderëve shtetërorë nga kjo iniciativë?
Jashari: Tërheqja nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është e pamoralshme dhe jonjerëzore. Drejtësia ndërkombëtare në vazhdimësi është marrë me akuza të shpifura dhe në asnjë rast nuk është faktuar se pjesëtarët e UÇK-së kanë bërë krime ndaj popullatës civile. Nuk mund të vazhdohet edhe më tutje me të gjitha këto padrejtësi që po i bëhen luftës së UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj. Konsideroj se Gjykata Speciale është padrejtësi e radhës, pra pas UNMIK-ut, EULEX-it. Që të tria këto kanë ardhur me pretendime politike të orkestruara nga Serbia dhe aleatët e saj. Institucionet shtetërore të Kosovës në radhë të parë duhet t’ia japin vendin meritor luftës së UÇK-së. Të gjitha që kanë çuar dorë për të themeluar këtë gjykatë dhe ata që heqin dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale kanë bërë padrejtësi të madhe ndaj luftës së UÇK-së, vlerës më kulmore të popullit shqiptar. UÇK-ja është e popullit dhe luftën e ka bërë për lirinë e popullit. Prandaj i ftoj deputetët e Kuvendit të mos e keqpërdorin besimin që ua ka dhënë populli. Po ashtu, i bëjë thirrje kryeministrit ta procedoj këtë çështje për në Kuvend, pastaj kryeparlamentari ta shtyjë përpara. Nëse kjo çështje rikthehet në Kuvend, besojmë shumë se deputetët do të votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Është absurde për Kosovën të themelohet një gjykatë e tillë, kurse për Serbinë jo, edhe pse dihet botërisht se ajo ka kryer krime, masakra dhe gjenocid mbi shqiptarët. Bartësit e institucioneve duhet t’i thërrasin mendjes, në mënyrë që të mos lejojnë edhe më tutje të luhet me vlerën kulmore të popullit shqiptar siç është lufta e UÇK-së. Nuk kemi nevojë për një gjykatë të tillë përderisa është faktuar se lufta jonë ka qenë e drejtë edhe në Tribunalin e Hagës me Ramush Haradinaj, me Fatmir Limaj dhe të tjerët. Të gjithë ata që kanë ardhur në Kosovë në emër të drejtësisë kanë bërë padrejtësi. Nëse kanë nevojë këta liderët e institucioneve apo kushdo tjetër që mendon se na duhet një gjykatë e tillë i ftoj t’i vizitojnë varrezat në çdo komunë dhe të shohin se sa qytetarë të pafajshëm janë vrarë dhe të shohin se sa masakra janë kryer mbi popullatën civile. Liderët shtetërorë duhet ta mbrojnë interesin nacional. Nuk mund të punohet në këtë drejtim pa i dhënë vendin meritor luftës së UÇK-së.

“Epoka e re”: Ndiheni të mashtruar nga presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli e kryeministri Haradinaj, të cilët fillimisht e mbështeten këtë iniciativë e pastaj u tërhoqën?
Jashari: Kjo lë të mbetet në ndërgjegjen e gjithë atyre që sot janë në institucione. Qëndrimet e tyre tregojnë gatishmërinë e tyre për të qenë servilë ndaj ndërkombëtarëve, ndaj atyre që të vetmin qëllim kanë ta denigrojnë luftën e UÇK-së përmes gjykatave të padrejta. Ndërkombëtarët po tentojnë ta barazojnë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së me krimin, masakrat dhe gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë. Të gjitha akuzat ndaj luftës së UÇK-së janë të inskenuara nga politika serbe me mbështetjen ndërkombëtare. Pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat, pra nëse Kuvendi do ta miratojë ose jo Ligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi çdoherë kundër kësaj gjykate dhe kundër çdo gjëje që ka për qëllim ta kriminalizojë luftën e drejtë të UÇK-së.

 “Epoka e re”: Çfarë do të bëni nëse institucionet nuk do të merren me këtë iniciativë?
Jashari: Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të konsultohen me organet e tyre dhe nuk do të rrinë duarkryq. Lejimi i një gjykate të tillë shkel sovranitetin e popullit, gjymtyrët e invalidëve dhe gjakun e dëshmorëve. Si ka mundësi të krijohet një gjykatë për shqiptarët që kanë luftuar për liri dhe jo për serbët që kanë bërë krime në Kosovë. Kryerësit e krimeve në Kosovë enden lirshëm në Serbi, madje edhe në Kosovë. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona duke mos përjashtuar asnjë formë të veprimit. Në kohën e zgjedhjeve do t’u bëjmë thirrje të gjithë anëtarësisë të mos dalë në votime dhe të mos i përkrahë ata që nuk po punojnë dhe nuk i mbrojnë interesat shtetërore dhe kombëtare, pra që nuk i japin vendin meritor luftës së UÇK-së.

“Epoka e re”: Do të thotë ju si organizata ende nuk keni hequr dorë nga iniciativa për shfuqizimin e Speciales?
Jashari: Pavarësisht prej deklaratave të liderëve shtetërorë, ne qëndrojmë fuqishëm në kërkesat tona. E kemi kundërshtuar dhe kemi protestuar në forma të ndryshme kundër kësaj gjykate, si dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë deri në fund. Drejtuesve të institucioneve, qoftë presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, u bëjmë thirrje t’i kryejnë detyrat dhe obligimet që i kanë marrë nga qytetarët. U bëjmë thirrje të mos bien pre e politikës ditore. Ne e dimë se të gjitha këto po ndodhin me kërkesën e Serbisë dhe aleatëve të saj. Institucionet tona duhet të punojnë që kriminelet serbë të dalin para drejtësisë, e jo të njolloset lufta e UÇK-së. Në radhë të parë duhet të jetë interesi nacional.

“Epoka e re”: Shtetet që e kanë mbështetur Kosovën, iniciativën për shfuqizimin e kësaj gjykate e kanë vlerësuar të panevojshme dhe si tendencë për izolim të Kosovës. Madje vendet e Quintit të enjten kanë mirëpritur tërheqjen e liderëve nga kjo iniciativë.
Jashari: Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që e kanë mbështetur dhe ndihmuar luftën e UÇK-së dhe Kosovën, në radhë të parë u jemi mirënjohës atyre që me gjakun dhe gjymtyrët e tyre e kanë sjellë lirinë e atdheut. Kosova vazhdon të jetë e izoluar sepse ata që i udhëheqin institucionet nuk kanë qenë si duhet në kryerjen e detyrave. Këto institucione nuk kanë nxjerrë asnjë rezolutë për asnjë prej masakrave që janë bërë në Kosovë, siç është ajo e Reçakut, e Mejës, e Izbicës dhe shumë e shumë masakrave të tjera. Nuk kanë bërë asgjë që kryerësit e këtyre masakrave të vendosen para drejtësisë. U bëj thirrje të mos vazhdojnë tutje degradimin e luftës së UÇK-së dhe interesit të përgjithshëm, sepse interesi kombëtar është më i rëndësishëm se ai personal e partiak. Prandaj ata duhet të punojnë për interesin kombëtar, në të kundërtën nuk do të arrijmë atje ku kemi synuar. Institucionet e kanë obligim ta çojnë në vend amanetin e dëshmorëve.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autobusi më të cilin ishte duke u kthyer në Kosovë…