Jashari tregon nëse do të vazhdojë greva në arsim
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e nisur të hënën në sistemin arsimor do të vazhdojë.
“Për këtë grevë nuk është fajtor SBASHK-u sepse nga maji kemi provuar që të gjejmë zgjidhje për kërkesat tona, jemi takuar edhe me kryeministrin. Projektligji për paga është degradues dhe fyes për sistemin arsimor në Kosovë. U shtjerrën të gjitha mundësitë për dialog dhe këshilli drejtues i SBASHK-ut vendosi që të shkohet në grevë. Për të mos humbur nxënësit i kemi kushtuar rëndësi dialogut, jemi takuar me kryeministrin dhe të tjerë por nuk është bërë asnjë lëvizje konkrete që gjërat të ndryshojnë. Po punohet në fshehtësi dhe ne nuk dimë a ka lëvizur diçka. Kërkesa jonë është 30%, edhe me këtë rritje nuk ndryshojnë gjërat por do të bëhej një avancim”, u shpreh ai.
Jasharaj në “Klan Kosova”, është shprehur kritik se buxhet për rritje të rrogave të Qeverisë dhe shtresave të tjera ka pasur por jo edhe për mësimdhënësit. Ai ka thënë se një ministër në Kosovë merr rrogë pesëfishë më të lartë se një mësues. “Gjithmonë kur është në pyetje arsimi thuhet se po cenohet buxheti. Edhe 30% është minimumi, prapë nuk do të ishte nivelizim pagash dhe ajo që po ndodh nëse nuk ka para për arsim pse paska për të tjetër – institucionet shtetërore e në mjekësi janë bërë ngritje marramendëse dhe këtu janë krijuar hendeqe. Sa herë që kërkojmë ne diçka thonë se po rrezikohet buxheti”, u shpreh ai.