Jashari viziton komandantin e FSK-së: Urime Bashkim, vazhdo hapave të komandantit dhe familjes
Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka vizituar djalin e xhaxhait të tij, gjenerallejtënant Bashkim Jashari pas zgjedhjes si komandant i FSK-së
Me këtë rast, Jashari është shprehur i bindur se komandanti i ri i FSK-së do ta jap maksimumin e tij për ushtrinë e Kosovës.
“Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, vëllait tim, bashkë me nipin, bashkëluftëtarin e tij, Bahri Nuredini, i uruam punë të mbarë e shumë suksese në udhëheqjen e ushtrisë sonë, të ndërtuar falë luftës, sakrificës së ushtarëve të UÇK-së dhe mbështetjes së shteteve tona mike, me theks të veçanta Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Jashari në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Jasharit:
Në Kazermën ‘Adem Jashari’, në vizitë tek Komandanti i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, i cili ka marrë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, një mision jetësor, atë të fuqizimit të ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë.
Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, vëllait tim, bashkë me nipin, bashkëluftëtarin e tij, Bahri Nuredini, i uruam punë të mbarë e shumë suksese në udhëheqjen e ushtrisë sonë, të ndërtuar falë luftës, sakrificës së ushtarëve të UÇK-së dhe mbështetjes së shteteve tona mike, me theks të veçanta Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke e njohur nga afër, si djali i mixhës Rifat, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, babushit Hamëzës, nipi i mësuesit të parë të Drenicës, babës Shaban, nga i cili trashëgoi virtytet më të larta njerëzore, sinqeritetin, humanizmin, guximin edhe vendosmërinë, jam më së i bindur që Bashkimi do të jap maksimumin e tij për ushtrinë tonë dhe kështu me të, ushtarët tonë të mrekullueshëm, Ministrinë e Mbrojtjes dhe aleatët strategjik, ushtria jonë do t’i bashkohet familjes së madhe të ushtrive të shteteve demokratike, NATO-s.
Urime Bashkim, vazhdo hapave të komandantit dhe familjes, rrugën e ke të trasuar!