Java e 13-të në Superligë, vëmendja në kryeqytet
Fundjava sjell xhiron e 13-të të Superligës në futboll. Ndeshja më interesante e javës zhvillohet nesër (e shtunë) kryeqytet, ku Prishtina e pret Llapin. Kryeqytetasit hyjnë të motivuar në këtë përballje, pas dy fitoreve radhazi.
“Bardh e kaltrit” janë në vendin e tretë më 18 pikë dhe kanë pesë pikë më shumë se llapjanët, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ballafaqimi tjetër i së shtunës, do të jetë mes Dritës e Ferizajt, me gjilanasit që janë favorit në letër. Drita u njoftua me humbjen e parë kampionale, javën e kaluar, derisa vazhdon të jetë në krye të tabelës, kurse Ferizaj po përballet me formë të dobët, u deklasuan në mesjavë nga Malisheva 6:0.
E diela vjen me tri ndeshje. Ndeshje interesante na pret në Mitrovicë, Trepça’89 takohet me Gjilanin, jashtë forme. As 89-shi nuk po kalon momente të mira, janë të tetit, dy pikë larg vendit të fundit. Të kuqtë nga Gjilani, janë të katërtit.
Kampioni në fuqi, Ballkani i shkon Dukagjinit, në kërkim të fitores dhe në pritje të një gabimi eventual të Dritës, për të kaluar në pozitën e parë. Në anën tjetër, klinasit janë të parafundit me tetë pikë.
Përballja e fundit zhvillohet në Skenderaj, Drenica takohet me Malishevën. Të dy skuadrat morën fitore të mëdha në mesjavë, dallimi mes tyre është katër pikë, më mirë qëndrojnë drenicasit.