Java e fundit e shpërndarjes së Kuvendit
Vullneti i subjekteve politike parlamentare për të shkuar në zgjedhje të reja pritet të testohet këtë javë, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme plenare për shpërndarjen e Kuvendit.
Këtë të enjte do të shihet përfundimisht nëse partitë politike parlamentare janë pro zgjedhjeve të reja.
Deri më tani zyrtarët e këtyre parive kanë deklaruar se zgjedhjet e reja janë e vetmja alternativë për vendin, madje ato tashmë i kanë deponuar në Kuvend edhe nënshkrimet e deputetëve të tyre për ta shpërndarë legjislaturën VI.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve, njohësit e rrethanave politike kanë paralajmëruar se mund të ndodhë që Kuvendi të mos shpërndahet.
Analisti politik, Vigan Qorrolli, para disa ditësh ka treguar se çka mund të ndodhë nëse partitë politikë nuk e shpërndajnë Kuvendin me këtë datë.
“Një rrezik që zgjedhje mos të ketë! Në rast se më 22 gusht së paku 80 deputetë nuk votojnë pro shpërndarjes së kësaj legjislature. Në rast të votimit negativ (të pasuksesshëm) me 80 vota ‘për’ – deputetët i japin shkas presidentit të vendit dhe shefave të tyre – të hyjnë në pazar për formimin e një qeverie të re pa zgjedhje”, ka shkruar Qorrolli në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se më 22 gusht deputetët nuk kanë punë më të rëndësishme sesa të jenë prezentë në Kuvend.
“Kujt i konvenon ‘arnimi’ dhe kujt i konvenon ‘legjitimimi’ me zgjedhje të reja, kjo pritet të shihet sot dy javë. Drita e vetëdijes së re duhet të ndodhë dhe Kuvendi të shpërndahet. Deputetët, asgjë tjetër më të mirë nuk kanë për të bërë, sesa kjo, të enjten e 22 gushtit”, ka shkruar ai.
Ndërsa, analisti tjetër politik, Behxhet Shala, ka deklaruar për “Epokën e re” se ndonëse të gjitha partitë politike janë pro zgjedhjeve, në fakt, askush prej tyre nuk i do zgjedhjet.
“Jam i sigurt se do të kemi shpërndarje të madhe të votave dhe se dallimi midis të parit dhe të parit (nuk ka parti të dytë) do të jetë e ngushtë. Koalicionet parazgjedhore të subjekteve të mëdha do ta dhunojnë demokracinë, koalicionet e partive të vogla i japin sharmë demokracisë. Askujt nuk do t’i dalin llogaritë ashtu si u thotë kalkulatori i tyre, do të ketë shumë zhgënjime. Por, diçka jam i sigurt: kushdo që fiton në këto zgjedhje, ndryshimet dhe përparimet do të jenë të papërfillshme. Personalisht do ta përkrah çdo qeveri, çdo parti, çdo koalicion që do të vendosë rend dhe rregull edhe nëse nuk pajtohem me ata”, ka thënë Shala.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, ka thënë se të enjten do të dihet nëse PDK-ja, Nisma dhe PSD-ja janë për shpërndarjen e Kuvendit.
“Shpërndarja e Kuvendit bëhet sipas nenit 82 të Kushtetutës vetëm me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Tash varet shumë se më 22 gusht PDK-ja, Nisma dhe PSD-ja a do të votojnë për a kundër shpërndarjes së Kuvendit për të shkuar në zgjedhje! Mendohet se AAK-ja, LDK-ja dhe LV-ja janë për shpërndarje të Kuvendit dhe për zgjedhje të parakohshme. Me shpërndarje i kthehen kompetencat sovranit (popullit)”, ka shkruar Kelmendi në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se kjo parti dëshiron që ta kthejë politikën në duart e qytetarëve duke vënë në qendër njeriun dhe nevojën e tij për më shumë liri, të drejta e mundësi të barabarta.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo parti dëshiron një parlament që i përfaqëson denjësisht qytetarët e Kosovës, që janë ligjbërës të përgjegjshëm dhe kontrollues të kujdesshëm të shpenzuesve të parasë publike nga institucionet e shtetit.
“Politika e re është pasion, është përkushtim permanent, është shërbim i vullnetshëm dhe i përgjegjshëm. Politika e re është një rrugë e re reformash vizionare që përshpejtojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës. Politika e re është dashuri për fëmijët tanë pa dallime etnike, fetare dhe gjinie. Pa asnjë ngurrim a paragjykim, me urtësi e kurajë të njerëzishme, ne do ta kthejmë vullnetin e qytetarëve në një vullnet për mirë qeverisje e solidaritet”, ka shkruar Berisha.
Nga caktimi i datës 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit, subjektet politike kanë filluar mobilizimin e strukturave të tyre në terren për zgjedhje të reja.
Në këtë drejtim nuk mungojnë as takimet e liderëve të këtyre partive me grupe të caktuara qytetarësh, duke i prezantuar synimet e tyre për mandatin e ardhshëm. (Epoka e re)
Muhamet KOCI