Java e fundit vendos për vendin e katërt për ‘play-off’
Sot (e mërkurë) dhe nesër (e enjte) luhen ndeshjet e xhiros së fundit (28) të stinorit të rregullt në Superligën A të Kosovës në hendboll (meshkuj).
Tashmë dihet që në “play-off” kampionia aktuale, Besa Famgas, do të fillojë nga pozita e parë. Skuadra pejane udhëheq në tabelë me 50 pikë. 47 pikë në vend të dytë i ka Kastrioti i Ferizajt, që të dielën e fitoi Kupën e Kosovës. Edhe vendi i tretë është caktuar. Prishtina do ta nisë “play-off”-in e treta, ndërsa një xhiro para fundit i ka 39 pikë. E hapur ka mbetur vetëm gara për vendin e katërt, në të cilin aktualisht është Vëllaznimi me 22 pikë.
Vushtrria është e pesta me 21 pikë, ndërsa Drita e gjashta me 20 pikë. Të mërkurën janë ndeshjet Besa Famgas – Drita (18:00) dhe Kastrioti – Vëllaznimi (19:00). Ndeshja e fundit, që mund të jetë edhe vendimtare, në mes të Vushtrrisë e Prishtinës, luhet të enjten nga ora 20:30. Në “play-off”, në gjysmëfinale, do të luajë Besa Famgas me skuadrën e vendit të katërt dhe Kastrioti i vendit të dytë me Prishtinën e vendit të tretë.