Java e Gruas, Osmani: Demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithëmbarshëm shoqëror
“Barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme”, kështu ka thënë presidentja Vjosa Osmani në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas.
Ajo ka thënë se u bënë dhjetë vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend.
Osmani ka thënë se demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithëmbarshëm shoqëror. “Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithëmbarshme”, është shprehur Osmani, duke shtuar se gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. “Ata i kanë dhënë krah demokracisë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka shtuar se çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve, i të gjithëve, pa dallim.
“I grave dhe burrave, pa dallim. Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka thënë se nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. “Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia”, është shprehur Osmani.
Ajo tutje ka theksuar se një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. “Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore”, ka pohuar presidentja.
Osmani ka thënë se edhe pse republika jonë është vetëm 15-vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike.
“Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se në këto dhjetë vite të Javës së Gruas, NDI-ja ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. “Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin”, ka thënë Osmani.