Java e lavdisë dhe sakrificës së minatorëve!
Nga Ferat Shala, deputet i PDK-së
Me rastin e shënimit të përvjetorit të javës së minatorëve, i përgëzojë minatorët për punën, angazhimin dhe kontributin e tyre që dhanë ndër vite. Ata janë simboli i punës dhe sakrificës dhe gjithmonë ishin protagonistë në çdo proces historik.
Askush më shumë se ata nuk ia di vlerën lirisë dhe pavarësisë.
Në këtë javë festive të minatorëve, ne do të duhej të krenoheshim me rezultatet e punës e të prodhimit.
Do të duhej të krenoheshim me investimet e përbashkëta Qeveri-Trepçë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e teknologjisë.
Në këtë javë do të duhej të kishim një Trepçë tjetër nga ajo çfarë është sot. Një Trepçë të ristrukturuar, të modernizuar, me menaxhmet profesional e jo politik.
Një Trepçë aktive në tregjet globale të metaleve. Një Trepçë që do të ishte katalizator i zhvillimit ekonomik, jo vetëm të qytetit të Mitrovicës, por të tërë Kosovës.
Sot, do të duhej të krenoheshim me një Trepçë që do të zbuste papunësinë. Një Trepçë që në gjirin e saj do të kishte dhjetëra e qindra specialistë të fushave të ndryshme. Një Trepçë unifikuese dhe bashkëpunuese me Universitetin e Mitrovicës. Një Trepçë që do të rriste eksportet e metaleve të rënda. Një Trepçë që do t’i jepte dividentë shtetit dhe shoqërisë.
Fatkeqësisht, sot me këtë politikë qeverisëse, Trepça është krejt tjetër nga premtimet dhe zotimet që kishte dhënë kjo qeveri.
Tri vite të kësaj qeverie asnjë ndryshim, asnjë investim, asnjë hap legjislativ, asnjë strategji dhe planifikim perspektiv, asgjë tjetër përveç lojë populiste dhe mashtrim!
Megjithatë, në këtë javë feste e respekti, uroj dhe përgëzoj të gjithë minatorët dhe punëtorët e këtij gjiganti.
Me fat!
* Autori në të kaluarën ka qenë drejtor i Trepçës