Java e liberalizimit të vizave
Komisioni Evropian pritet që këtë javë ta rikonfirmojë propozimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Udhëheqësit qeveritarë janë shprehur të bindur se rekomandimi i komisionit do të jetë pozitiv, teksa janë zotuar se Kosova do të respektojë çdo procedurë që del nga ky proces.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë me dije se procesi vendimmarrës në BE për këtë çështje do të fillojë më 17 ose 18 korrik. “Presim që më 17 apo më 18 korrik do ta kemi vlerësimin e Bashkimit Evropian për vizat i cili do të jetë pozitiv”, ka deklaruar Haradinaj javën që lamë pas.
Edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizim të vizave do të jetë pozitiv. “Presim rekomandim pozitiv ngaqë Kosova ka punuar për plotësimin e kritereve. Tani presim të ketë një vendim para pushimeve të verës. Ne si institucione jemi të përkushtuar dhe të angazhuar që reformat e agjendës së integrimit evropian të vazhdojnë dhe të përshpejtohen pavarësisht prej procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Hoxha, shkruan “Epoka e re”.
Ajo nuk beson se çështja e migrimit në BE-së do të sjellë ndonjë problem për Kosovën.
“Debati që po zhvillohet në vendet anëtare të BE-së për migrimin patjetër se është një çështje shumë e rëndësishme për këto vende. Ne i kuptojmë shqetësimet e tyre, por Kosova është shtet i sigurt i origjinës dhe ne kemi punuar shumë dhe kemi legjislacionin sipas praktikave më të mira të vendeve të BE-së, institucione të kualifikuara për zbatimin e legjislacionit si dhe fushatat vetëdijesuese kundër migrimit ilegal duke e penguar me mjete ligjore”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se perceptimi i vendeve të BE-së për Kosovën ka ndryshuar për të mirë.
“Tashmë kjo dukuri e perceptimit negativ ndaj vendit tonë është ndalur. Kosova ka arritur ta vë në kontroll migrimin dhe kemi statistikat më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, është shprehur ajo.
Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi këtë të mërkurë në Bruksel do ta takojnë përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, ku do të diskutojnë edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.
Qeveria ka bërë me dije se pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, Ministria e Integrimit Evropian do të nisë një fushatë për t’ua shpjeguar qytetarëve rregullat që duhet t’u përmbahen gjatë këtij procesi, duke mos lejuar keqpërdorimin e liberalizimit të vizave.
/Epoka e re/