‘Java e Minatorëve;, Kurti: ‘Trepçën’ ta kthejmë në pasuri minerare
Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” ka filluar të hënën në Stantërg në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të “Trepçës”, e cila pati lëkundur themelet e ish-Jugosllavisë.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin autoritete të larta shtetërore, komunale, udhëheqës të institucioneve, ish pjesëmarrës të grevës së lavdishme, minatorë, etj.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga një gjigant i fjetur, synojnë që “Trepçën” ta kthejnë në një pasuri minerare.
Ai ka thënë se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.
“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është shprehur krenare me arritjet e “Trepçës” gjatë dy viteve të fundit.
Ajo ka premtur mbështetjen e qeverisë për “Trepçën” edhe në të ardhmen, sidomos në modernizimin e teknologjisë.
Se greva e greva e minatorëve të “Trepçës” ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale porse politike, e ka thënë kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.
‘Për mua kjo ngjarje është edhe emocion, sepse si ish punëtor i Kombinatit ‘Trepça’, si ish-pjesëmarrës i grevave të minatorëve, normalisht se është ndjenjë dhe emocion. Ka qenë ndër grevat e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike”, ka thënë ai, raporton “KP”.