‘Java e minatorëve’, Shala: Projekti i hidrombushjes, ndër ndryshimet e mëdha në ndërmarrjen ‘Trepça’
Ish-drejtori menaxhues i ndërmarrjes “Trepça”, dhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në kuadër të “Javës së minatorëve”, ka prezantuar edhe një tjetër projekt të cilin e ka realizuar gjatë kohës sa ka drejtuar këtë ndërmarrje.
Shala ka thënë se bëhet fjalë për projektin e hidrombushjes. “Projekti i Hidrombushjes u realizua nga inxhinierët, mekanikët dhe minatorët e ‘Trepçës’. Për herë të parë ne filluam që hapësirat e zbrazëta të minierës së Stantërgut, t’i mbushnim me hirin e freskët të termocentraleve të Kosovës. Projekt ky i cili përmirësoi sigurinë në punë, rriti efikasitetin dhe përmirësoi mjedisin”, ka shkuar Shala në “Facebook.
Postimi i plotë i Shalës:
PËR NDERË TË JAVËS SË MINATORËVE
Në kuadër të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në ndërmarrjen “Trepça” gjatë menaxhimit tim, ka qenë edhe projekti i Hidrombushjes.
Ky projekt është zhvilluar me ndihmën e donatorëve dhe Qeverisë së Kosovës, të asaj periudhe.
Ishte planifikuar që kompanitë ndërkombëtare ta implementonin (kompani sllovene), por ne e morëm përsipër që implementimin ta kryenin punëtorët dhe inxhinierët e “Trepçës”.
Me mobilizim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, dhe me afat rekord prej 2 muajsh, me çmim minimal implementues, projekti i Hidrombushjes u realizua nga inxhinierët, mekanikët dhe minatorët e “Trepçës”.
Për herë të parë ne filluam që hapësirat e zbrazëta të minierës së Stantërgut, t’i mbushnim me hirin e freskët të termocentraleve të Kosovës.
Projekt ky i cili përmirësoi sigurinë në punë, rriti efikasitetin dhe përmirësoi mjedisin.
Me fat!