Java e tretë e elitës, derbi ‘zhvendoset’ të enjten
Java e tretë në Prince Caffe Superligë pritet të dhurojë sfida shumë interesante. Derbi i kësaj xhiroje është ndërmjet Pejës dhe Trepçës, por kjo sfidë do të zhvillohet të enjten me pajtimin e dy klubeve.
Ky është një ballafaqim mes kampionit dhe fitueses së Kupës dhe Superkupës së Kosovës, si dhe dy skuadrave me traditë në basketbollin e Kosovës. Po ashtu, të dyja skuadrat e kanë nisur kampionatin shumë mirë, me dy fitore në dy ndeshje. Takimi hapës i kësaj xhiroje është ndërmjet Vëllaznimit dhe Proton Cable Prizrenit, ku dy skuadrat kërkojnë fitoren e parë në këtë edicion, pasi e nisën me dy humbje.
Sfidë shumë me interes është ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit. Të dyja skuadrat kërkojnë fitoren e dytë këtë edicion, sepse kanë nga një fitore e një humbje. Të dielën do të ndeshen edhe Istogu me Bashkimin.
Për istogasit kjo është hera e parë që luajnë në elitë dhe janë në kërkim të fitores së parë, kurse prizrenasit duan fitoren e tretë në tri ndeshje.
SUPERLIGA – Java e 3-të
Të shtunën takohen:
19:00 Vëllaznimi – Proton Cable Prizreni
Të dielën takohen:
17:00 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli
19:00 Istogu – Bashkimi
Të enjten takohen:
18:00 Peja – Trepça