Java fillon me mot të nxehtë, temperaturat do të arrijnë deri në 35 gradë
“Java fillon me mot të nxehtë e shtrëngata me shi. Më pas shtrihet vala e të nxehtit dhe ngre temperaturat edhe mbi 35C. Priten edhe netë tropike”, ka njoftuar Prishtina Weather.
20.06.2021 – Një valë e të nxehtit që përfshiu pjesë të Europës perëndimore e qëndrore ditëve të fundit, pritet të shtrihet edhe mbi rajonin tonë javën në vijim. Do të mbajë mot shumë i nxehtë me temperatura maksimale që mund të arrijnë deri në 38C, e vende-vende nga Dukagjini duke iu afruar edhe vlerës prej 40C. Gjatë kësaj periudhe mund të ketë edhe netë tropike, ku temperatura gjatë natës nuk zbresin nën 20C.
Por ditën e hënë mbetet mot jostabil, ku gjatë ditës priten zhvillime të shtrëngatave me shi, e që vende-vende do të jenë mjaft intenzive ku mund të sjellin reshje të dendura e nuk përjashtohen mundësi edhe për breshër.
Nga dita e martë nuk parashihen mundësi për të reshura, megjithëse gjasat mbeten që orëve të pasdites përreth viseve malore të ketë zhvillime të rrebesheve me bubullima.
Me valën e të nxehtit, mbi rajon pritet të shtrihen edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian, që mund të ndikojë në përkeqësim edhe të cilësisë së ajrit, duke rriturt përqëndrimet në grimcat e materies PM10, e indeksi mund të kaloj edhe në vlera të dobëta, e vlerat e çastit edhe në shumë të dobëta.
Indeksi i rrezeve UV do të jetë në vlera shumë të larta, prandaj në këto ditë preferohet ekspozim më i ulët ndaj rrezeve të diellit përgjatë orëve të mesdites.
21.06 – Në mëngjes intervale me diell. Pasdite dhe në mbrëmje priten zhvillime të shtrëngatave me shi. Vende-vende shtrëngata do të jenë intenzive me mundësi edhe për reshje breshëri.
22.06 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë. Pasdite përreth viseve malore me zhvillime të vransirave lokale. Mbeten mundësi për rrebeshe të izoluara me bubullima.
23.06 – Kryesisht me diell dhe shumë nxehtë. Pasdite përreth viseve malore me zhvillime të vransirave lokale. Vende-vende mundësi për rrebeshe të izoluara me bubullima.
24.06 – Mot shumë i nxehtë, me diell dhe vransira kalimtare gjatë ditës.
25.06 – Shumë nxehtë. Pasdite priten zhvillime të vransirave lokale, e përreth viseve malore mundësi për rrebeshe shiu me bubullima.
“Temperaturat minimale luhaten nga 15C deri 20C, e maksimalet në rritje nga 31C të hënën, deri në 38C ditën e enjte. Era do të fryj e lehtë dhe mesatare nga jugperëndimi dhe perëndimi 2-10m/s. Shtypja atmosferike pas rënies ditën e hënë, më pas gradualisht në rritje”, ka njoftuar Prishtina Weather.