Javën e ardhshme do të ketë gërmime në Prekaz, kemi dyshime për mbetje mortore

26 tetor 2023 | 21:51

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se javën e ardhshme mund të ketë gërmime në fshatin Prekaz të Skënderajt.

Ai tha se aty dyshohet se ka mbetje mortore të personave të zhdukur, si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

“Lokacioni tjetër që nuk mund të them datën e saktë, por brenda një jave mund t’i fillojmë punimet, është Prekazi i Skënderajt, aty kemi dyshime të mëdha se janë disa prej personave të zhdukur, që figurojnë në listë, lokacionin e kemi shënjestruar, jemi gati t’i kryejmë gërmimet. Na ka ndihmuar komuna e Skënderajt, edhe baca Rifat [Jashari], na ka ofruar ndihmën e nevojshme. Brenda një jave do t’ia fillojmë gërmimet”, tha ai.

Tutje, ai dha detaje edhe për gërmimet e së enjtes, ku në “Arbanë” të Prizrenit janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohen se janë të një personi të zhdukur në luftën e fundit.

“Sot kemi qenë në Arban të Prizrenit, kjo është si pasojë e disa hulumtimeve, me dëshmitare e dokumente, kemi arritur në konkluzion që brenda varrezave në Arban mund të jetë edhe personi i fundit, sepse ka qenë një grup prej 11 personash, 10 janë gjetur, i fundit besojmë që kemi arritur ta gjejmë sot. Kemi arritur t’i gjejmë mbetjet mortore të së paku të një individi”, tha ai.

Hoti theksoi se deri më tani ka pasur 11 gërmime brenda territorit të Kosovës, kurse deri në fund të vitit planifikojnë të arrijnë deri në 15 gërmime.

“Pas lokacionit në Arban, kemi vazhduar përsëri në Prizren, jo për gërmime, për shënjimin e disa vendeve, aty presim të kemi gjetje të disa personave, kemi disa lokacione të tjera, po urojmë që koha të marrë mirë. Deri në fund të vitit, 14-15 lokacione do të përfundojnë”, tha ai në Dukagjin.

Tutje, ai tha se ka dyshime të mëdha për varreza masive në Serbi, por që sipas tij, Serbia nuk është duke u treguar bashkëpunuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrëfimi i radhës vjen për dy firma të njohura në…