Javën e ardhshme pritet të nënshkruhet marrëveshja qeverisëse LV-LDK
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë thënë të premten se janë pajtuar për 100 për qind të programit qeverisës dhe se marrëveshja finale për koalicionin e qeverisjes pritet të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme nga liderët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.
Albulena Haxhiu, pjesë e grupit punues të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë pas takimit me zyrtarë të LDK-së se drafti i programit qeverisës do të bëhet publik shumë shpejt.
Ajo ka paralajmëruar se të shtunën do të ketë edhe një takim mes liderëve të këtyre subjekteve politike, derisa ka shtuar se ende nuk është diskutuar mes liderëve për temat sa i përket pozitës së ministrit të Jashtëm, pozitës së kryetarit të Kuvendit, e aq më pak për pozitën e presidentit.
Haxhiu ka bërë me dije se pozita e presidentit është përgjegjësi e liderëve që beson se në takimin që do të jetë shumë shpejt.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar pajtimet rreth programit qeverisës me LV-në.
Takimi i grupeve punuese të të dyja partive u mbajt pas takimit të së enjtes midis kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.
Këto zhvillime vijnë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, që u bë të mërkurën nga ana e KQZ-së. Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.