Javën e kaluar, djalit të njërit të dyshuar për vrasjen e mbrëmshme në “Aktash” iu ngrit aktakuzë për tentim vrasjen e vëllait të viktimës
Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rasti ka ndodhur pas përleshjes mes dy grupeve si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme.
Këto dy grupe, dyshohet se janë familja Sekiraqa dhe familja Gashi (të njohur si Capat), raporton “Betimi për Drejtësi“.
Nga të shtënat me armë më 1 shtator, i vdekur mbeti Premtim Gashi, ndërsa pesë të plagosurit janë nën masën e ndalimit, mes tyre edhe Salih Sekiraqa.
Javën e kaluar, saktësisht më 28 gusht 2024, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të dyshuarit për rastin e mbrëmshëm Salih Sekiraqa), i cili akuzohet për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Sekiraqa gjendet në paraburgim nga 3 qershori 2024.
Sipas aktakuzës, më 4 mars 2024, në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me veturë, pronë e të pandehurit Muhedin Haliti, Shkumbin Sekiraqa ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një automjet tjetër në atë rrugë. I pandehuri Sekiraqa për arsye të panjohura, me dashje dhe me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi, pas bisedës me NN personin, i vihen pas të dëmtuarit Gashi, dalin nga vetura dhe i drejtohet me fjalët “Paja shoq a po me njeh mu”.
Aktakuza thotë se më pas e sulmojnë fizikisht, në atë mënyrë që fillimisht Shkumbin Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.
Aty thuhet se i dëmtuari Gashi, edhe pse ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri ka shtënë me armë në drejtim të tij.
Me këtë, Sekiraqa akuzohet se në bashkëkryerje me NN personin, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve. Kjo pasi derisa ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit Pajtim Gashi, ka rrezikuar personat e tjerë që ishin në rrugë.
Me këtë, Sekiraqa akuzohet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Sekiraqa prej kohës së panjohur, ka mbajtur në posedim armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Muhedin Haliti akuzohet se me dashje ndihmoi të pandehurin Shkumbin Sekiraqa, duke fshehur provën- veturën e cila ishte pronë e tij (Halitit), të cilën Sekiraqa e ka pasur në shfrytëzim në ditën kritike. Më tej, thuhet se as kryerjes së veprës penale nga Sekiraqa, i akuzuari Haliti e ka fshehur veturën në garazhin e tij dhe kur ishte pyetur nga pjesëtarët e policisë, kishte deklaruar se e ka shitur.
Me këtë, Muhetin Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par. 1 të Kodit Penal.
I dëmtuari Pajtim Gashi kishte thënë se qëndron pranë dy deklaratave të dhëna në Polici. Duke e përshkruar ditën kritike, kishte thënë se pranë biznesit familjar kishte ardhur një person me veturë, i cili i kishte thënë “pse po më kqyr” dhe kishte filluar ta shante. Pasi ishte larguar rreth 15 metra, tha se e kishte ndalë veturën dhe kishte filluar ta shante, e që më pas kishte ardhë edhe një tjetër person, i cili nuk kishte folur asgjë.
Më pas, kishte deklaruar se i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, e kur tentoi t’ia merrte armën, personi tjetër e ka goditur në qafë dhe kokë me grushte e shqelma, si pasojë e të cilave ishte rrëzuar. Sipas tij, i pandehuri kishte shtënë 5-6 herë.
Sipas tij, Shkumbin Sekiraqën nuk e kishte njohur më herët dhe as tani, dhe se nuk kishte pasur asnjëherë probleme me të.
Kurse, i pandehuri Sekiraqa kishte thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici.
“Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur me atë 04.03.2023 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”, citohet të ketë deklaruar Sekiraqa.
Në anën tjetër, i akuzuari Muhedin Haliti kishte dhënë se Shkumbin Sekiraqën e njeh vetëm si djalin e Salih Sekiraqës, familjen e të cilit i ka fqinj.
Haliti, aty thuhet se kishte thënë se kontakt me Shkumbinin kishte pasur vetëm kur ia ka dhënë veturën, por që nuk i kujtohej saktë data. Veturën, sipas tij i pandehuri ia kishte kërkuar me një arsyetim tjetër, e që Haliti ia kishte dhënë për shkak të respektit ndaj babait të tij.
Më tej, thuhet se meqenëse Haliti merret me shitblerje të veturave, kur e kanë pyetur hetuesit për veturën që e kishte pasur Shkumbini, u ka thënë se e kishte shitur, pasi i kishte pasur tri të tilla, dy prej tyre i kishte shitur e një e kishte në shtëpi. Veturën që pretendohet se e kishte Shkumbini, Haliti kishte thënë se nuk e ka vozitur asnjëherë ditën Shkumbini, sepse është e tij dhe e kishte në garazh. Të njëjtën, thotë se tani nuk e posedon sepse e ka shitur.
Megjithatë, Gjykata këto deklarata i kishte marrë si të pabazuara dhe përpjekje për t’i ikur përgjegjësive penale, ngase ishin në kundërshtim me të gjitha provat e siguruara.
Për çka ishte dënuar tani i ndjeri Premtim Gashi?
Viktima Premtim Gashi që mbeti i vrarë gjatë mbrëmjes së 1 shtatorit 2024, sipas aktgjykimeve të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, ka qenë i dënuar për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në vitin 2020 e kishte dënuar më 1 vjet burgim efektiv dhe 500 euro gjobë, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 22 nëntori 2019 deri më 22 shkurt 2020.
Ndaj këtij dënimi, ishte ankuar Prokuroria duke kërkuar dënim më të lartë në Apel.
E Gjykata e Apelit, kishte aprovuar këtë ankesë si të bazuar dhe kishte ndryshuar vendimin e Themelores, duke ia rritur dënimin për 6 muaj, përkatësisht e kishte dënuar të akuzuarin me 1 vjet e 6 muaj burgim si dhe 1 mijë euro gjobë.
Premtim Gashi akuzohej se më 20 tetor 2019, në korridorin e lokalit “Amsterdam” në fshatin Dobrant të Komunës së Graçanicës, kishte shtënë katër herë me automatik, me ç’rast ishin lënduar rëndë Gj.Gj dhe Sh.I, si dhe lëndime të lehta kishte marrë edhe L.D.
Më tej, thuhet se rasti kishte ndodhur kur vëllai i të akuzuarit- tani të ndjerit Premtim Gashi, Petrit Gashi kishte shkuar në atë lokal bashkë me bashkëshorten dhe në gjendje të dehur ishin fjalosur me të dëmtuarin A.D. Ky i fundit me telefon kishte kontaktuar djalin e axhës së Gashit, që të shkojë ta marrë me arsyetimin se është në gjendje të dehur dhe po shqetësonte mysafirët.
Pas një kohe, thuhet se i akuzuari Premtim bashkë me vëllain tjetër Pajtimin, kishin shkuar në lokal kishin qëndruar një kohë. Duke dalë nga lokali, vëllai i të akuzuarit- Petriti, i cili ishte i dehur, kishte filluar t’i shqetësojë mysafirët, duke i sharë dhe fyer.
Kështu, më tutje thuhet se i akuzuari Premtim doli në oborr dhe mori armën nga vetura, duke shtënë tri herë në ajër dhe pastaj gjuan katër herë në korridorin e lokalit, ku edhe mbesin të plagosur tre persona.
I akuzuari para gjykatës e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se ajo çfarë ka ndodhur ka qenë e rastësishme, duke kërkuar që të marrë një dënim me të butë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, pranimin e fajësisë e kishte marrë si rrethanë lehtësuese për të.