
JD Vance po bëhet gati të ‘heqë qafe’ Mike Waltz
Michael Waltz, këshilltari i lartë i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, mund ta shohë veten të “zhdukur” nga kabineti i Donald Trump, pas një skandali të komunikimit në platformën Signal.
Ishte pikërisht Waltz shkaktari i këtij skandali, pasi ai përfshiu pa dashur redaktorin e The Atlantic, Jeff Goldberg, në një bisedë sekrete ku u diskutua plani për goditjen e grupimit Houthi.
Pavarësisht faktit se Trump e ka mbrojtur publikisht Waltz-in, duket se është zëvendëspresidenti JD Vance, ai i cili po kërkon largimin e tij.
Kështu ka raportuar media Politico lidhur me çështjen, duke shtuar se jo vetëm Vance, por edhe një tjetër grup brenda kabinetit, e do Waltz-in jashtë.
E vetmja gjë që ata po bëjnë, është se po presin çastin e duhur për të vepruar, sipas raportimit të Politico.
Një hetim nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel ndërkaq tregon se numrat e telefonit celular, adresat e emailit dhe fjalëkalimet e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA, Tulsi Gabbard dhe Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth po qarkullojnë në rrjetin e errët.
Hetimi përdori informacione nga motorët e kërkimit komercial dhe të dhënat e klientëve të publikuara në internet.
Sipas Der Spiegel, shumica e numrave të aksesueshëm publikisht dhe adresave të postës elektronike ndoshta janë ende në përdorim nga të prekurit.
Disa prej tyre janë të lidhura me profilet në Instagram dhe LinkedIn, ndër të tjera.
Ato janë përdorur për të krijuar llogari dhe profile Dropbox në aplikacione që gjurmojnë të dhënat. Ka profile WhatsApp për numrat e tyre përkatës të telefonit, dhe në disa raste, edhe llogaritë Signal.
Pas bisedës së diskutueshme Signal në të cilën u shpërndanë informacione për sulmet e SHBA-ve kundër rebelëve Houthi të Jemenit, në të cilat u përfshi rastësisht redaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, ky do të ishte një tjetër boshllëk serioz në sigurinë e Washingtonit, nënvizon Der Spiegel.
Të dhënat e kontaktit të Gabbard, Hegseth dhe Waltz, të cilat Spiegel mundi t’i rikuperonte, u gjetën pjesërisht në bazat e të dhënave komerciale dhe pjesërisht në të ashtuquajturat ‘rrjedhje të fjalëkalimeve’.
Studiuesit e revistës gjermane arritën të merrnin numrin e telefonit celular dhe adresën e emailit privat të Hegseth në një mënyrë veçanërisht të thjeshtë. Ata përdorën një ofrues të të dhënave të kontaktit të biznesit të përdorur kryesisht nga bizneset për shitje, marketing dhe rekrutim.
Ofruesit të informacionit të kontaktit iu dha një lidhje me profilin LinkedIn të Hegseth që çoi, midis informacioneve të tjera, në një adresë Gmail dhe një numër telefoni celular.