Je i lirë kur mund të largohesh nga njerëzit

22 korrik 2022 | 08:53

Nga: Fernando Pessoa (Libri i shqetësimit)

Përktheu: Shpendi Shakaj

Je i lirë kur mund të largohesh nga njerëzit, pa qenë i detyruar t’i kërkosh nga nevoja për para apo instinkti i tufës apo dashuria, lavdia, kurioziteti, gjëra që nuk gjejnë ushqim në heshtje dhe vetmi.

Nëse e ke të pamundur të jetosh vetëm, ke lindur skllav. Mund të kesh gjithë madhështinë e shpirtit dhe të zemrës: je një skllav fisnik, një skllav i zgjuar, por nuk je i lirë. Dhe, nuk je përgjegjës për këtë tragjedi, sepse tragjedia e të lindurit në këtë mënyrë nuk ka të bëjë me ty, por me vetë Fatin përballë teje.

Por, mjerë ti nëse është barra e jetës, vetë jeta që të robëron. Mjerë ti që ke lindur i lirë dhe i aftë të ndahesh nga njerëzit, nëse varfëria të detyron të jetosh me ta. Në fakt, kjo është tragjedia jote që e mbart kudo me vete.

Të lindësh i lirë – kjo është madhështia më e lartë njerëzore, ajo që e bën vetmitarin e përulur superior ndaj mbretërve, superior edhe ndaj perëndive, të cilët janë të vetë-mjaftueshëm në ushtrimin e autoritetit të tyre dhe jo në përbuzjen ndaj tij.

Vdekja është një çlirim sepse të vdes do të thotë se nuk kam më nevojë për të tjerët. Robi i gjorë çlirohet me forcë nga kënaqësitë e tij, nga hidhërimet e tij, nga vazhdimi i një jete që e ka dëshiruar pandërprerë. Mbreti çlirohet gjithashtu nga zotërimet që nuk donte të hiqte dorë. Ato që përhapnin dashurinë në rrugën e tyre, çlirohen nga triumfet që adhuronin. Dhe ata që fituan çlirohen nga fitoret për të cilat shpenzuan jetën.

Prandaj, vdekja e fisnikëron dhe e vesh me zbukurime të panjohura këtë trup të shkretë pa kuptim. Ai tani është i lirë edhe nëse nuk e dëshiron. Nuk është më skllav, megjithëse vajton për humbjen e skllavërisë së tij. Ashtu si mbreti, lavdia më e madhe e të cilit është titulli i tij mbretëror, i cili si njeri mund të jetë qesharak, por si mbret mbetet superior ndaj të gjithëve, kështu i vdekuri mund të bëhet i tmerrshëm, por është superior sepse është çliruar nga vdekja.

Mbyll, i lodhur, grilat në dritare, lë botën jashtë dhe fitoj lirinë time për një moment. Nesër do të jem përsëri skllav, por tani, i vetëm, pa nevojën e askujt, me frikën e vetme të ndonjë zëri ose pranie që mund të më ndërpresë, pushtoj lirinë time të vogël, momentet e mia të madhështisë.

Duke u zhytur thellë në kolltukun tim, harroj jetën që më trysnon.

Nuk më lëndon më, sado që më ka lënduar shumë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina dhe Rusia do të nënshkruajnë një marrëveshje përparimi sot,…