“Jehona e Malësisë” shpall zgjedhjet e organeve drejtuese të bordit
Shoqata “Jehona e Malësisë” ka njoftuar të gjithë anëtarët e saj por edhe ata që kanë dëshirë të anëtarësohen, se në bazë të nenit 5 të statutit të shoqatës, janë shpallur zgjedhjet e organeve drejtuese të Bordit.
Sipas njoftimit të Shoqatës “Jehona e Malësisë”, të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve (të zgjidhen dhe të zgjedhin) duhet të jenë anëtarë aktivë të shoqatës deri më 3 nëntor.
“Për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve (të zgjidhen dhe të zgjedhin) duhet të jenë anëtarë aktivë të shoqatës deri ditën e premte, me datë 3 nëntor. Në bazë të Statutit dhe nenit 5 dhe 6, të gjithë anëtarët që kanë dëshirë të kandidohen për të qenë pjesë e Bordit drejtues, duhet ta paraqesin atë paraprakisht me shkrim para datës 3 nëntor, ku do të përgatitet lista e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve”, bëhet me dije në njoftimin e kësaj shoqate.
Më tej theksohet se: “Dëshira e Bordit drejtues të shoqatës është që të paraqesë mundësi për anëtar të rinjë, për mendime ndryshe dhe inkuadrim të kapaciteteve vepruese të komunitetit tonë, prandaj ju ftojmë që të bëheni pjesë e vendimmarrjes së shoqatës e cila aspiron që të përmirësojë statusin e komunitetit shqiptar në Michigan dhe gjendjen e shqiptarëve nën Mal të Zi, duke mos hequr dorë asnjëherë nga ideali i një Shqipërie të bashkuar”.