Jemi dëshmitarë të një trendi shqetësues ku anëtarët e qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave

05 tetor 2023 | 15:54

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar të enjten me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.

Duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është gur themeli i sundimit të ligjit dhe një kërkesë esenciale për çdo shoqëri demokratike, ambasadori i BE-së në Kosovë tha: “Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një trendi shqetësues ku anëtarët e qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave, zhvillimin e hetimeve në vazhdim apo edhe prokurorët dhe gjyqtarët individualë. Gjyqësori duhet të jetë i lirë nga presioni politik, në mënyrë që të respektohet ndarja e pushteteve dhe sistemi i kontrolleve dhe balancave”.

Duke përshëndetur përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së statistikave në lidhje me lëndët e zgjidhura gjyqësore, ambasadori i BE-së në Kosovë tha se statistikat e besueshme janë kruciale për të vlerësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

“Ato janë gjithashtu një mjet për t’ia komunikuar publikut punën e bërë, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve në gjyqësor”, ka pohuar ai.

Teksa rikujtoi deklaratën e nënshkruar të përkushtimit të përbashkët për reformat në drejtësi, e cila u mirëprit nga BE-ja, Szunyog ka theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të mekanizmave ekzistues për llogaridhënien, integritetin, efikasitetin dhe transparencën e sistemit gjyqësor.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për procesin e reformave në vazhdim dhe planet e investimeve në sistemin e drejtësisë me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi.

Në këtë drejtim, ambasadori i BE-së në Kosovë rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes disa projekteve të financuara nga BE-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës…