“Jemi në fazën e parë të një tjetër lufte botërore”
Filozofi francez, Bernard-Henri Lévy, thotë se “perandoria e supozuar” e Amerikës dhe aleatët e saj gjenden përballë një “sulmi të madh të një fronti gjithnjë e më të gjerë e më solid”, i përbërë nga Kina, Rusia, Turqia, Irani, dhe radikalizmi islamik.
Njerëzimi sipas tij ka hyrë në fazën e hershme të një lufte botërore dhe dy vijat kryesore të frontit janë Ukraina dhe Izraeli. Fronti i tretë, sipas tij, do të bëhet shumë shpejt Tajvani.
Në një intervistë për Politico, BHL komenton edhe politikën franceze. Liderin e së majtës, Jean Luc Melenchon, e akuzon për provokim të vazhdueshëm të antisemitizmit. Themeluesin e Franca e Papërkulur e quan nje ish-kurtizane të François Miterrand, presidenti francez më jetëgjatë në detyrë, për të cilin ka punuar edhe vetë BHL.
Melenchon, thotë ai, është simptomë e krizës botërore të lidershipit, e cila në rastin e SHBA përfshin edhe woke-izmin.
Bernard Henri Levy ka botuar së fundmi në anglisht librin e tij “Izraeli vetëm”. Për shkak të kërcënimeve të shumta, përfshirë edhe të tilla nga Republika Islamike e Iranit, ai ruhet nga policia franceze.