A jemi robër të famës fitimtare më 1999 dhe si ka rrjedhur kriza?
Prof. dr. Hakif Bajrami
Nga shkolla kombëtare e Prekazit për progres kombëtar deri në liri, vlera historike dhe filozofike-kombëtare e luftës së UÇK-së 1991-1999 nuk bën të nëpërkëmbet (5)
E tërë politika që ushtrohet sot në Kosovë, horizontalisht nepotiste, vertikalisht injorante, por klanore, për çdo njeri të logjikshëm, duhet të jetë brengosëse. Shikoni sa seriozë janë disa njerëz për ushtrimin e marrëzirave politike, të cilat kultivohen me dekada dhe populli u beson. Këtu politikanët, nëse mund të quhen kështu, shumica e të cilëve janë matrapazë, janë përçarë aq egërsisht saqë askush nuk ka autoritet t’ia mësyjë “bashkimit” të tyre. Pse? Sepse autoriteti numër një i shtetit është caktuar me diktat. Dhe, a nuk ishte pozita e politikanëve shqiptarë në këtë nivel, të gjithë të përçarë gjatë viteve 1913-1916? Faktet krahasuese dëshmojnë se po, vetëm tipat e Esadit janë më finokë, më tinëzarë, më mizorë në ndjenjë dhe më të sofistikuar nga të huajt. Çfarë ndodhi me fatin tonë pastaj dihet, çdo gjë mbeti në gjysmë të rrugës.
Dhe a do ta shpijnë shqiptarizmin në greminë, për ngritjen e familjeve të tëra të korruptuara deri në skajshmëri, për primat bajraktari dhe regjioni, del se po, sepse ata sot edhe fizikisht që mund të bëjnë çdo gjë, janë ndarë në nivele të përfitimit, nuk akuzohen ndër vete dhe vetëm shtypi i “denoncon, sepse legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë bërë një klan, në stilin “Ti mu, unë Ty”, kanë bërë një ndarje të re të niveleve fitimprurëse nga Akademia e deri në foshnjore, nga Presidenca e deri në zyrën ku paguhen taksat e shtetit, nga mjetet e informimit publik e deri te animet private të tyre plot ngjyra politokracish. Të gjitha faktet tregojnë se këtu kemi të bëjmë me një “tabut kufomash të gjalla, që nuk shohin asgjë përpos interesit familjar dhe personal.
Pse ndodhë ky fenomen, sepse në Kosovë nga OKB-ja eksperimentohet, kalkulohet, konsultohet shumë kush që është injorant, që një fakultet e ka kryer me njëqind intervenime, që nuk din çka është kultura e shkrimit, por din fare mirë çka është “kultura e përvetësimit”. Por, të themi në fund se tërë këtë rreshtim po e dirigjon Beogradi, me fajin e politikanëve tanë servilë, të lidhur për pozitë, të “burgosur” me servilizëm. Këtu, nuk ka ditë që në mjetet e informimit nuk flitet për drogë, prostitucion, korrupsion, hajni dhe fyerje nder më të egrat në Evropë. Për këtë lloj shoqërie dihet se nuk është bërë luftë çlirimtare, nuk është themeluar UÇK-ja.
Dhe shtrohet pyetja, a ia vlen të bësh luftë politike me këtë shtresë të paarsimuar në Kosovë, kur çdo gjë është stralluar dhe determinuar të eksperimentohet dhe eventualisht të dështohet duke u mbështjellë terë realiteti rreth disa personaliteteve që nuk kanë arsimimin adekuat kombëtar dhe intelektual. Çka do të i ndihmojnë këta të tjerëve, kur nuk i ndihmojnë veti drejtësisht dhe me djersë të ballit të lirë. Ky soj i politikanëve është sorollatë nëpër Evropë mjaftë, dhe është kah teatrizon mirëqenie të rrejshme, përmes arritjes së pavarësisë, që nuk është produkt i tyre fare. Këta në këto rrethana, nuk dinë fare të krijojnë klimë politike dhe ekonomike, për ta nxjerrë popullin dhe shtetin nga kriza. Një kohë të gjatë flasin për do farë benifite evropiane, flasin për vizat, të cilat vet i kanë, por popullit nuk ia sigurojnë sepse pastaj “tregu i tyre i diturisë”, do të shembet si kulla prej letre, sepse shumica diplomat e tyre i kanë blerë nëpër kolegje të Evropës, ose të “këtushme” e që nuk janë asgjë tjetër, vetëm një diplomë “letër pa vlerë”, karshi letrave me vlerë, si thuhet me gjuhen financiare.
Por, edhe sot duhet filluar dikah. Vizat do të vijnë një ditë, por ato nuk e nxjerrin Kosovën nga humnera ekonomike. A do të dali nga “populli një vullkan”, sikurse ai më 28. XI. 1997, kur nga masa në varrimin i trupit të një heroi dolën tri heronj: Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, mendoj se frika ka vdekur përgjithmonë këtë ditë dhe ka filluar epoka e evropeizimit të vërtetë. Prandaj, popull kemi për këtë evropianizim, fusha e guximit është e gatshme, pavarësinë dhe sovranitetin duhet merituar me urti logjike, e jo me inate embrionale bajraktarësh. Po, kam besim se djalëria e Kosovës do të fitojë mbi injorancën që është stralluar, sidomos, në institucionet e larta të shtetit, por edhe në shumë komuna që nepotizmi dhe papunësia e brejnë shoqërinë-shtetin sikurse valët e detit shkëmbin.
Unë kam të drejtë të shprehem kështu, sepse nuk kam bërë turr në asnjë kolltuk, por nuk kam të drejtë të kërkojë kolltukë sepse më janë ofruar. E pra të sqarojë pse i kam refuzuar, sepse ky injoranti që vjen bie fjala nga Spanja, Rumania, me një shkollë të mesme me paragjykime koloniale, të detyron ta ulësh kokën dhe mos të vëresh asgjë. Bie fjala, ky problemet e të drejtave nacionale janë buzë eksplodimit, në shumë vend që këtu delegojnë miniguvernatorë, ku ai, vjen dhe nënshkrimin tim ma shndërron në zero vlerë. nuk do ta elborojë këtë fenomen, por dikush po mendon se këtu kanë qenë pushtet analfabetët dhe “komunistët” që duhet të “ngordhin sikur të ishin nga ish Rodezia”. Ja ky është mentaliteti i disa miniguvernerëve në drejtësi, arsim, kulturë, ekonomi, shëndetësi, e në shumë lëmi tjera.
Shqiptarët më 1999, ishin lajmi kryesor në të gjitha institucionet valide të globit. Jo pse po bënin ndonjë zbulim shkencor, ekonomik, kulturor civilizues, por po dëshmonin një perseverancë të pathyer luftë të drejtë, që bota e civilizuar do t’ua ketë lakmi dhe zili, për një kohë të gjatë, sepse po dëshmonin se nuk duan të vdesin si komb e formuar dhe i pjekur shumë mirë nga çdo nivel. Sot, çdo gjë nuk është kthyer mbrapa këtu, por po komentohet mbrapsht. Shikoni se kush komenton për çdo javë nëpër podiumet informative, është mbush Kosova me analistë?, që vetëm flasin mendime të kota dhe lavdërohet para mëhallës së tyre se e kanë “thënë këtë dhe atë”.
Këta papagall, për çdo ditë i ke nëpër kafene dhe portale gazetash, që nuk preferojnë asgjë përpos politikë boshe, fraza mizantrope që tek e fundit vetëm ata i lexojnë. I lexojnë edhe ata që duan ta dinë se deri ku ka sharruar niveli i marrëzisë. Askund nuk e ka ndonjë këshillë se si të ekonomizojmë, si ta ruajmë ambientin, si ta mbjellim tokën, si të ndërtojmë fabrika, spitale, biblioteka, rrugë dhe infrastrukturë civilizuese. Shikoni si asgjësohet toka e bukës në vijën Prishtinë-Ferizaj. Po kush ka mund të ndërtojë aty para viti 1989. Jo, jo është dashtë Kosova me zemër disi, pa u zbuluar atdhetaria dhe dëlirësia nga okupatori perfid dhe meskin jugosllav komunisto – vetëqeverisës.
Por, e tha ky dhe e mbaroi ai, po qeveriset sot. Fjalë boshe pa asnjë përmbajtje. E gjeneratat e këtij kombi kanë investuar në këtë sovranitet të kufizuar, të cilin jemi kah punojmë për ta mos merituar sepse përçarjet bartin andej Kosovën martire. Pikërisht kah e dëshiron ish- okupatori dhe tani ish-pushteti që dikton, po ndodhë ky realitet i komprometimit që po jeton me mos durim totalitar. Dhe pse të kemi bisedime politike me Serbinë.
Në cilin vend që ka ngjarë një praktikë e gjenocidit është dashtë kohë të sanohen plagët. Neve, dikush po përpiqet që të na “pjekë si bananet në prush”. Kush po i drejton “teknikisht” këto bisedime, vlera e UÇK-së, e shtron këtë pyetje për objektivizim. Si erdhi praktika nga bisedimet teknike të kalohet në bisedime politike, madje të nënshkruhet një Dokument Ndërkombëtar e të bëhen 23 shkelje të Kushtetutës, e të thuhet se çdo gjë është në rregull. Jo, more, ka zot, kjo tokë.
Sivjet është komunikuar publikisht se Akademisë i dedikohen 2 milionë e sa buxhet. Për çka dhe ku shkojnë ato mjete. Për shkencë nuk dihet fare se çfarë rreshtimi do të ketë. Botimi i rezultateve shkencore është kah luftohet prej atyre që janë mësuar me dekada të jetojnë si parazitë. Deri kur dhe kush po i toleron dhe po i përkrahë hajnitë që janë bërë në Agjencinë e Privatizimit.
Çka po ndodhë me universitetin që ia dridhi themelet Jugosllavisë titiste, është turp për atë staf arsimtarësh ta sjellin në këtë gjendje, që çdo tre muaj të ndërrohen rektorët, pale derisa të u rritën dikujt fëmijët e ta marrin atë timon. Kështu po del rezultati. Pse moralizohet dhe këto ditë se do të gjendet dhe do të publikohet emrat e uzurpatorëve. Pse asnjë mjet i informimit nuk i publikoi ata 170 sa u tha. Kjo është “njëqind arusha në mal….” Pse nuk publikohen nëpër mjetet të informimit se si janë uzurpuar pozitat nëpër Akademi, institute, katedra, ish uzina shoqërore, etj.
Deri kurdo të i “qajmë të vdekurit” me qëllim që të mbulohen hajnitë e të gjallëve. Larg ka shkuar kjo valle e keqe që ma nuk mund të tolerohet. Pse i gjithë ky tetarizim kur nuk na duhet. Sot jepen lloj-lloj prognozash se si të dilet nga kriza. Taborët më të mëdha janë pozita pushtetare që thonë dhe provokohen se nuk luajmë prej “istikameve (foteleve-hb) pa vlue gjaku”. Kështu mund të përkthehet kokëfortësia e tyre që e kanë shkelë 23 herë kushtetutën për hatër të ish- okupatorit. Në këtë rrafsh poliglot gabimesh nuk dihet edhe sa shkelje tjera mrizojnë nëpër prokurori dhe gjykata.
Opozita në anën tjetër po mbushet gati një vit që pengon çdo “normalitet”, të paktën në Kuvendin e Kosovës, për aprovuar ligje dhe për të marrë vendime për ndërtimin e mëtejmë të shtetit. Në kohën e fundit si duket, bazuar në mitingun e fundit ka treguar kulturë civilizuese. Por prapë pozita ka dalë disi me kokëfortësi, madje edhe me ofendime dhe po tregon se kjo qeveri nuk do normalitet. Ka ngulur këmbë në stilin o krejt, o hiq të gjithë. Pozicion shumë profitabil për ta, sa të jenë në fron, por mjerim për popullin që e sundojnë dhe nuk e drejtojnë kah duhet por drejtë humnerës, sepse opozita si duket nuk do të pushojë me metodat e saj “skajshmërisht destruktive”, sidomos në parlament. Çka nëse mbahen zgjedhjet dhe prapë fitojnë këta të dhunshmit.
A do ta pranoni verdiktin apo do të gjeneroni anarki të re, sepse forma të anarkisë ka mjaftë, madje dhe deri e tash kemi depozituar për eksport. Uluni e bisedoni ore të tërë sa nuk ju ka marrë dikush për veshi e të ju ulë në tavolina. Atëherë do të bëheni si qengja sepse ata do të ju thonë: “E keni sovranitetin e kufizuar, më tepër nuk meritoni”. Ky është falli i politikës suaj triumfaliste, që mendoni se i dini të gjitha. E keni sjellë vendin buzë luftës civile. Këtë po e klithin shumë mediume me të drejtë.
Kriza e përgjithshme e ka përfshi Kosovën. Shkencërisht është hulumtuar se ky mentalitet e shpërfilljes së rendit dhe ligjeve ka ardhur nga arroganca e ndërkombëtarëve, plus destruktiviteti i vendorëve që vetëm kanë bërë amën. Prandaj është e pamundur pa një operacion të dhimbshëm me ia kthe bazës normalitetin që këtu të investohet dhe vendi ekonomikisht të prosperojë. Do të duhen ekipe ekspertësh të gjinden në vendet drejtuese, sepse mjaftë me poste politike që po dëshmojnë injorancë. Shikoni ministrat çfarë profesionesh kanë dhe çfarë funksioni kanë. (Vijon)