Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u fejuan? Unaza me diamant që ngriti dyshimet
Dalja e fundit në publik e Jennifer Lopez i ka bërë të gjithë të dyshojnë se ajo është fejuar me Ben Affleck. Aludimet kanë lindur si pasojë e unazës së madhe me diamant që këngëtarja me famë botërore mbante në dorën e majtë.
52-vjeçarja është fotografuar teksa po blinte mobilie me të bijën, Emme, në Los Angeles. JLo u shfaq si gjithmonë shumë elegante me një fustan shumëngjyrësh dhe syze dielli të mëdha.
Por vëmendjen më të madhe e mori unaza që ajo mbante në gisht. Kujtojmë që unaza e parë që Jennifer mori nga Ben gjatë kohës kur u lidhën për herë të parë ka qenë një unazë me diamant rozë që kapte vlerën e 1.2 milionë dollarëve (unaza që shihet në foton e mëposhtme).
Vetëm dy muaj më parë, Lopez ishte në një turne promovues për filmin e saj të ri, “Marry Me”, në të cilin foli edhe për lidhjen e saj me Ben Affleck. Ajo i tha Ellen DeGeneres se nuk e kishte menduar kurrë rikthimin së bashku me regjisorin e “Argo”, por shtoi: “Është një gjë e bukur”.
Lopez dhe Affleck u fejuan rreth dy dekada më parë për tu ndarë në vitin 2004. Lopez u martua me Marc Anthony në qershor 2004, me të cilin ka dy fëmijë: binjakët Emme dhe Max, të lindur në 2008.
Ndërkohë, Affleck u martua me Jennifer Garner në qershor 2005 me të cilën ka tre fëmijë: Violet, Seraphina dhe Sam.