Jens Stoltenbergut i vazhdohet mandati edhe për një vit
NATO ka vendosur të martën t’ia zgjasë kontratën e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate, Jens Stoltenberg edhe një vit tjetër.
Stoltenbergu, ish-kryeministër i Norvegjisë, ka qenë udhëheqës i aleancës transatlantike të sigurisë që nga viti 2014 dhe mandati i tij ishte zgjatur tashmë tre herë më parë.
Vendimi do të thotë një vazhdimësi në krye të NATO-s pasi 31 anëtarët e saj përballen me sfidën e luftës në Ukrainë.
Stoltenbergu, 64 vjeç, shihet gjerësisht në të gjithë aleancën si një lider i qëndrueshëm dhe ndërtues i durueshëm i konsensusit.
Në një postim në “Twitter”, Stoltenbergu ka shkruar se ishte i nderuar nga vendimi për të zgjatur mandatin e tij deri më 1 tetor 2024.
“Lidhja transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet, dhe në një botë më të rrezikshme, Aleanca jonë është më e rëndësishme se kurrë”, ka shkruar ai.