Jep dorëheqje Blerand Stavileci
Blerand Stavileci nuk do të jetë më kryetar i KB Prishtina. Stavileci ka jep dorëheqje nga posti i kryetarit për shkak të ligjit të ri për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Ju pafsha gjithmonë kështu, të buzëqeshur e të lumtur me fitoret dhe sukseset e klubit tonë të zemrës, por ne kemi obligim ta respektojmë Ligjin si qytetarë të ndershëm e të përgjegjshëm të vendit tonë. I njëjti Ligj që dikur ma mundësonte mbajtjen e pozitës së Kryetarit të klubit, sot ma pamundëson si rezultat i ndryshimeve që kanë pësuar dispozitat ligjore. Prandaj, sot, ofrova dorëheqjen nga ky post, me keqardhje të madhe e krenari të jashtëzakonshme njëkohësisht. Jam i bindur që Prishtina jonë do të vazhdojë edhe më fuqishëm edhe më suksesshëm!”, ka shkruar Stavileci në “Facebook”.
Teksti i plotë i dorëheqjes se Blerand Stavilecit drejtuar anëtarëve të Bordit Drejtues dhe të Kuvendit të Klubit të Basketbollit Prishtina
Të nderuar anëtarë të Bordit Drejtues,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Klubit të Basketbollit Prishtina,
Të dashur kolegë,
Me keqardhje ju njoftoj se duhet të dorëhiqem nga pozita e Kryetarit të KB Prishtina, për shkak të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i hyrë në fuqi kohë më parë, më saktësisht siç e precizon Neni 14 Paragrafi i Parë, i cili shfuqizoi Ligjin e vjetër, më saktësisht Nenin 11 Paragrafi i Parë, i cili asokohe ma mundësonte që të mbaja edhe pozitën e zyrtarit të lartë publik edhe atë të Kryetarit të Klubit si Organizatë Joqeveritare.
Nuk qenka aspak e lehtë të Ju drejtohem në këtë mënyrë, sepse deri më tani pothuajse gjithmonë Ju jam drejtuar për t’Ju komunikuar lajme të mira dhe vendime të mëdha strategjike lidhur me të ardhmen e klubit tonë, për të cilin kemi investuar shumë.
Klubi Im dhe i Juaji i Zemrës në gjithë këto vite është bërë një brend i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht, duke na bërë krenarë si në Kosovë ashtu dhe në Europë. Jemi bërë sinonim i fitoreve dhe sukseseve. Vetëm në këto 6 vjetët e fundit ne kemi arritur të fitojmë plot 56 trofe. Vlera e tyre ishte po aq e madhe sa edhe ndjenja e të bërit krenarë me mijëra e mijëra shqiptarë anekënd botës.
Sidoqoftë, gjatë kryerjes së funksioneve publike, përveç përgjegjësive dhe detyrave primare që kemi lidhur me fushëveprimtarinë e klubit, mbi të gjitha, duhet t’i respektojmë ligjet e shtetit tonë, mbase edhe për të dhënë shembull se si duhet të funksionojmë. Së pari Ligji, respektimi i tij, dhe pastaj vinë të tjerat.
Dua të besoj fuqishëm që Klubi jonë do ta vazhdojë rrugëtimin e suksesit. Unë, si gjithmonë, do të jem përkrahësi më i madh i tij.
Siç e thonë tifozët tanë më të mirë, Plisat:
Një Jetë, Një Prishtinë!
Duke Ju falënderuar të gjithëve për mbështetjen dhe bashkëpunimin,
Do të mbetem përjetësisht i Juaji,
Përjetësisht Bardhekaltër!
/Epoka e re/