Jep dorëheqje bordi i KB Rahoveci
Klubi i Basketbollit Rahoveci ka mbajtur të enjten kuvendin e rregullt të punës, në të cilin janë diskutuar raporti i punës dhe ai financiar. Para diskutimit është bërë një rikapitulim i punës dhe aktiviteteve të bordit në vitet e fundit, por edhe për vështirësitë financiare sidomos në muajt e fundit pas suspendimit të ligës. Me shumicën e anëtarëve të pranishëm dhe me dy abstenime, në kuvend janë votuar të dy raportet.
Klubi i Rahoveci ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje bordi i klubit. “Në punimet e Kuvendit dorëheqje në tërësi kanë dhënë të gjithë anëtarët e deritanishëm të bordit. Dorëheqja ka ardhur përkundër shumë përpjekjeve që të zgjidhen problemet financiare për çka ka qenë e pamundur, duke pasur parasysh edhe situatën e pandemisë, por edhe rrjedhimisht mosndarjen e mjeteve te zotuara nga Komuna e Rahovecit, për çka ishte planifikuar buxheti për edicionin e kaluar”, thuhet në njoftimin e Rahovecit.
Bordi i dorëhequr falënderon gjithë ata që ndër vite kanë mbështetur klubin në ngritjen e cilësisë, por edhe në plotësimin e ëndrrave të shumë gjeneratave që qyteti të ketë skuadër elitare në basketboll.