Jep dorëheqje deputeti i partisë së Daçiqit, u filmua duke shikuar porno në telefonin e tij gjatë seancës për Kosovë
Deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Zvonimir Steviq ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si deputet.
Dorëheqja e tij vjen pasi në media dhe rrjete sociale ka qarkulluar një video në të cilën është thënë se ai ka shikuar “filma për të rritur” gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, në të cilën flitej për Kosovën.
Kryetari i SPS-së, Ivica Daçiq, ka thënë më herët gjatë ditës së sotme se pret që Steviq, të japë dorëheqjen.
Siç kanë raportuar mediat serbe, në video, deputeti Steviq nga partia e Ivica Daçiqit, shihet duke mbajtur një telefon nën stolin e parlamentit në të cilin po shikonte pamje pornografike.
Videoja që është bërë virale është shfaqur në “Twitter”, por nuk është thënë koha kur është realizuar.
Megjithatë, disa media të tjera në Serbi kanë shkruar se bëhet fjalë për pamje që janë marrë gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë në të cilën është diskutuar për Kosovën.
Zvonimir Steviq ka qenë deputet deri më tani gjashtë herë.
Ai ka lindur në Prishtinë dhe ishte pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe anëtar i “Komisionit për Kosovë” në Kuvendin e Serbisë. /Telegrafi
Deputeti serb kapet nga kamerat duke shikuar filma për të rritur